Një hero si Murat Mehmeti
Nga Imer Mushkolaj – Zyrtari i ndershëm i shtetit, Murat Mehmeti, është hero i ditëve tona. Ai zbuloi miliona të keqpërdorur të shtetit, pavarësisht pengesave dhe shantazheve të eprorëve të tij. Ai zgjodhi të bëjë atë që do të duhej ta bënte secili qytetar, në secilin institucion. Shoqëria duhet ta ngre zërin dhe të dalë në mbrojtje të tij.
Po të mos vendoste që guximshëm të tregojë për dallaveret e tatimeve në Kosovë, Murat Mehmeti mbase do të mbetej vetëm një punëtor i vyeshëm i institucionit ku punon. Do ta kishte më të lehtë ta merrte pagën që i takon dhe ta mbyllte gojën për gjithë çfarë kishte gjetur gjatë hetimeve të tij për krimet tatimore.
Rrëfimi i tij, i shfaqur në Jeta në Kosovë, është i tmerrshëm. Ai ka vendosur të tregojë për parregullsitë brenda Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), respektivisht për vjedhje tatimore shumëmilionëshe. Kjo bëhej nëpërmjet katër kompanive fantome, pronarët e të cilave përfitonin miliona duke iu shmangur tatimeve. Këto kompani fiktive iu shërbenin rreth 300 kompanive reale.
Nëpërmjet hetimit të njësitit që e udhëhiqte, Murat Mehmeti ka gjetur dëshmi trishtuese për vjedhjen e shtetit. Me meritën e tij, vetëm rreth 23 kompani të tilla i kthyen vullnetarisht rreth 2 milionë euro, por jo edhe kompanitë tjera, të cilat u amnistuan nga prokuroria.
Zyrtari i ndershëm i shtetit, Murat Mehmeti, kreu vetëm punën që i takonte, duke provuar të shpëtojë miliona të keqpërdorur të shtetit. Ekonomisti nga Vushtrria zgjodhi të bëjë atë që do të duhej ta bënte secili, në secilin institucion, kur has në të tilla situata.
* * *
Në një shtet normal, Murat Mehmeti do të shpërblehej për punën e tij. Të shpëtosh miliona euro të buxhetit të shtetit nuk është pak. Por në Kosovë, ku puna në institucione shtetërore më shumë se përgjegjësi shihet si një mundësi e mirë për zhvatje e keqpërdorime, nuk ndodh kështu.
Shefat e tij në ATK, që kryesisht janë njerëz të partive në pushtet, nuk e lejuan t’i vazhdojë hetimet, pavarësisht insistimeve. Për më tepër, ata i kishin ofruar pozita të tjera menaxheriale, vetëm që të heq dorë nga hetimet e mëtejme. E kishin endur anej e këndej, për ta kthyer sërish aty ku kishte qenë. Në vend që ta përkrahnin, ata po përpiqeshin ta heshtnin. T’ia mbyllnin gojën që të mos nxjerr në shesh të tjera dallavere. Madje, drejtori i ATK’së e kishte cilësuar Mehmetin si e keqja më e madhe që ka mundur t’i ndodh këtij institucioni.
Murat Mehmeti kallëzimin penal e dërgoi në Prokurorinë Speciale. Hetimet çuan në arrestimin e pesë personave, pronarë të kompanive fantome dhe të një kontabilisti.
Por, u ndjeva keq kur e pashë prokurorin e çështjes, Ali Rexha, teksa përpiqej të arsyetonte amnistinë e kompanive ndaj dallaveret tatimore. Me një lehtësi të padurueshme, ai po shpjegonte se nuk kishte përndjekje penale për asnjërën nga kompanitë që kishin blerë fatura nga kompanitë fiktive, duke e dëmtuar buxhetin e vendit për miliona euro. Ai po thoshte se ATK kishte vepruar në bazë të ligjit, që thotë se ato kompani që bëjnë “gabime” të tilla, i përmirësojnë faturat dhe i kthejnë paratë që kanë borxh në buxhet, nuk përndiqen penalisht. Pra, bëhet fjalë për kompani që qëllimshëm kanë vepruar në dëm të shtetit. Rexha po i mbyllte sytë para faktit se procedurës së faljes pas kthimit të borxhit iu nënshtruan vetëm 23 kompani, ndërkohë që rreth 270 të tjera u lanë të veprojnë të lira, pa ndjekje penale dhe pa kurrfarë obligimi që t’i kthejnë paratë në buxhet.
* * *
Murat Mehmeti, një kallëzues e hetues i krimit, duhet të mbrohet brenda ATK’së. Ai është ekspert i fushës dhe ka bërë gjënë e duhur, pavarësisht se kjo i ka penguar shumëkujt që do të donte që dallaveret e evazionit fiskal në përmasa industriale asnjëherë të mos dilnin në sipërfaqe.
Murat Mehmetit mund t’i rrezikohet vendi i punës dhe e ardhmja e tij është e paqartë. Por, shoqëria duhet ta ngre zërin dhe të dalë në mbrojtje të tij – për të mirën e vet, për të mirën e vendit, për një të ardhme më të mirë.
Të veprosh si Murat Mehmeti, sot nuk është e lehtë, ndonëse është patriotizëm i madh. Ai nuk bën pjesë në mesin e atyre që patriotizimin e kuptojnë më shumë si folklorizëm, sesa si lojalitet ndaj shtetit në të cilin punon e jeton.
Andaj ai duhet të mbrohet dhe të çmohet, si një shembull i njeriut të dinjitetshëm, i cili nuk mund të qëndrojë indiferent përballë keqpërdorimeve të tmerrshme që ndodhin para syve të tij. I njeriut që ka zgjedhur të flasë e të veprojë, në vend se të bëhet bashkëpjesëmarrës në krim, si shumë zyrtarë të tjerë. I njeriut që e do punën që bën, vendin e vet dhe bashkëqytetarët e tij.
Murat Mehmeti është qytetar i mirë. Është patriot. Është hero i ditëve tona.


