Kamenicë: KKSB diskuton gjendjen e sigurisë në Hodonoc, Rogaçicë dhe Karaçevë të Poshtme
Kamenicë – Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i Komunës së Kamenicës ka mbajtur mbledhjen e katërt të radhës, ku në fokus të diskutimeve ishte gjendja e sigurisë në tri vendbanime: Hodonoc, Rogaçicë dhe Karaçevë të Poshtme.
Në këtë mbledhje morën pjesë kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, komandanti i Stacionit Policor në Kamenicë, Basri Shkodra, si dhe anëtarët e tjerë të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.
Gjatë shqyrtimit të gjendjes së sigurisë, komandanti i Policisë, Basri Shkodra, vlerësoi se situata në këto vendbanime vazhdon të jetë e ndjeshme, megjithëse, sipas tij, numri i veprave penale ka shënuar rënie në krahasim me vitin paraprak.
Ndërkaq, kryetarët e këshillave lokalë, Sinan Morina nga Hodonoci, Bujar Fera nga Karaçeva e Poshtme dhe Sylë Kallaba nga Rogana, paraqitën shqetësimet e banorëve lidhur me çështjet që ndikojnë në sigurinë dhe qetësinë publike.
Ndër problemet e ngritura ishin prishja e rendit dhe qetësisë publike, dukuria e kontrabandës, si dhe rastet e lëshimit të qenve për shëtitje nga pronarët pa mbikëqyrjen e duhur.
Në mbledhje u miratuan njëzëri procesverbali i takimit të kaluar dhe rendi i ditës, ndërsa në pikën e fundit, “Të ndryshme”, nuk pati çështje shtesë për diskutim.
Në përmbyllje u theksua rëndësia e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve komunale, Policisë dhe përfaqësuesve të komunitetit, me synim adresimin e shqetësimeve të qytetarëve dhe përmirësimin e sigurisë në të gjitha vendbanimet e Komunës së Kamenicës./rajonipress/

