Haxhiu: Krerët e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në Hagë, vendi i tyre është në Kosovë
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në një adresim para deputetëve, ka kujtuar ngjarjet dhe personalitetet që kanë lënë gjurmë në historinë e Kosovës, duke theksuar rëndësinë e ditëve të nëntorit.
Ajo ka folur edhe për Ditën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke rikujtuar se rrënjët e saj lidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e dëshmorëve.
“Jemi në ditët e rëndësishme të nëntorit. Nesër është Dita e FSK-së, një forcë që i ka rrënjët te UÇK-ja, te sakrifica e dëshmorëve dhe te përpjekjet e brezave që dhanë gjithçka që ne sot të jetojmë të lirë në Republikën tonë”, ka deklaruar Haxhiu.
Gjatë fjalimit, ajo ka përmendur edhe ngjarjet e fundit të nëntorit, të cilat, sipas saj, shënuan kalimin nga rezistenca e armatosur në luftë të hapur kundër forcave serbe.
Haxhiu ka shprehur gjithashtu mbështetjen për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë, duke kërkuar që procesi ndaj tyre të përfundojë me drejtësi dhe ata të lirohen sa më parë.
“Teksa kujtojmë ngjarjet, jemi pranë krerëve të UÇK-së, luftëtarëve të lirisë, të cilët edhe këtë nëntor po mbahen padrejtësisht në Hagë. Vendi i tyre është në Kosovë. Ne vazhdojmë angazhimin tonë që drejtësia të vihet në vend dhe të lirohen sa më parë”, ka thënë Haxhiu.

