Uje Dea

“Poshtërsi” e quan opozita përpjekjen e Sveçlës për përvetësim të meritave pas raportit të Gallupit

“Poshtërsi” e quan opozita përpjekjen e Sveçlës për përvetësim të meritave pas raportit të Gallupit

Kosova është renditur në vendin e pestë në Evropë sa i përket Indeksit të Ligjit dhe Rendit për vitin 2025, sipas raportit të publikuar nga Instituti Ndërkombëtar Gallup. Ky rezultat e pozicionon Kosovën në mesin e vendeve me perceptimin më të lartë të sigurisë, pas Islandës, Zvicrës, Lituanisë dhe Norvegjisë.

Për këtë rezultat kanë folur edhe përfaqësues të partive politike në Kosovë, të cilët, ndonëse e kanë vlerësuar lart renditjen e vendit, kanë dhënë qëndrime të ndryshme lidhur me meritat dhe përgjegjësitë institucionale, veçanërisht sa i përket Policisë së Kosovës dhe funksionimit të sistemit të drejtësisë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi në një bisedë për Ekonomia Online e ka cilësuar këtë rezultat si lajm të mirë për Kosovën, duke e ndërlidhur me reformat e ndërmarra në fushën e sundimit të ligjit gjatë viteve të fundit.

Fundamenti

“Padyshim lajm i mirë që Kosova po vlerësohet me angazhimin e saj për sundim të ligjit. Është reflektim edhe rrjedhojë e drejtpërdrejtë e punës që është bërë gjatë këtyre viteve, të reformave të nisura në fushën e sundimit të ligjit. Nuk është me rëndësi se kujt i mbeten meritat, është shumë e rëndësi që Kosova po rangohet në nivel të tillë të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, madje me standarde të larta do të thoja unë të sundimit të ligjit”, ka deklaruar Rrustemi.

Ai ka theksuar se ky vlerësim duhet të shërbejë si motivim për institucionet që të vazhdojnë punën në konsolidimin e sistemit të drejtësisë dhe forcimin e sundimit të ligjit.

“Kjo duhet t’i inkurajojë të gjithë zyrtarët publikë për të vazhduar punën për ta konsoliduar sistemin e drejtësisë në përgjithësi, për të qenë shumë më efikas dhe pa asnjë dyshim për ta forcuar në kuptimin e qëndrueshmërisë. Kosova nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç shtetit ligjor, shtetit të së drejtës, me gjykata efikase, me mekanizma të sigurisë që mbrojnë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe natyrisht që garantojnë zbatimin e ligjit pa dallim dhe për të gjithë”, ka thënë ai.

I pyetur për kritikat e opozitës lidhur me gjendjen e Policisë së Kosovës, përfshirë kushtet e punës dhe mungesën e uniformave, Rrustemi ka pranuar se procesi i përmirësimit të institucioneve duhet të vazhdojë.

“Po natyrisht nuk përfundon procesi i përmirësimit, domethënë edhe ne angazhohemi që në këtë mandatin katër vjeçar që po e fillojmë të thellojmë reformat në sistemin e drejtësisë, t’i përmbyllim shumë prej reformave të nisura dhe nuk ka asnjë dyshim që ky proces është i vazhdueshëm i përmirësimit të vetes, të institucioneve, të mekanizmave”, është shprehur Rrustemi.

Megjithatë, ai ka vlerësuar se renditja e Kosovës, e cila sipas tij e shkëput vendin nga shtetet e rajonit dhe e afron me shtetet më të konsoliduara të Bashkimit Evropian, është një rezultat inkurajues.

“Por tani për tani ky vlerësim i lartë i Kosovës duke u shkëputur komplet nga shtetet e rajonit, duke zënë nivel të shteteve më të konsoliduara të Bashkimit Evropian, është pa asnjë dyshim lajm i mirë, është inkurajues dhe manifeston do të thosha një perspektivë të mirë për Kosovën”, shtoi.

Ndërkaq, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu për Ekonomia Online e ka vlerësuar pozitivisht rezultatin e Kosovës, por ka rikujtuar se vendi ka shënuar rënie në pikë krahasuar me vitin paraprak.Sipas saj, Kosova në raportin e mëparshëm kishte marrë 94-95 pikë, ndërsa në raportin për vitin 2025 ka arritur në 90 pikë nga 100 gjithsej.

“E vlerësoj lart, është një vlerësim i mirë, përkundër që ka rënie Kosova pak, sepse kur thamë rënie kam fjalën për renditjen në pikë, sepse në vitin paraprak ka pasur 94-95 pikë nëse nuk gaboj, tani ka 90 pikë gjithsej prej 100-ve. Por e thamë edhe njëherë, këtë raport, për këtë vlerësim ose këtë raport meritat kryesore i ka Policia e Republikës së Kosovës, e cila përkundër problemeve të mëdha që i ka në terren e në përditshmëri, po arrin që ta ruajë imazhin dhe besueshmërinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës ndaj policisë”, ka thënë Musliu.

Ajo ka kritikuar ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për reagimin e tij pas publikimit të raportit, duke e akuzuar për përpjekje për t’i përvetësuar meritat për këtë rezultat.

“Reagimi ose tendenca për t’i marrë meritat ministri Xhelal Sveçla është poshtërsi dhe jo profesionalizëm. Sepse Xhelal Sveçla kur janë në pyetje rregullimi i kushteve të policisë, ngritja e pagave, sigurimi ose thjesht kujdesi ndaj Policisë së Kosovës i ik përgjegjësisë, ndërsa kur ka me marrë merita del i pari”, ka deklaruar Musliu.

Sipas saj, rezultati i raportit nuk duhet t’i atribuohet ministrisë, por punës së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët, pavarësisht vështirësive, kanë arritur të ruajnë besimin e qytetarëve.

“Dhe këto merita absolutisht nuk kanë të bëjnë me ministrinë ose kjo renditje në këtë raport s’ka të bëjë absolutisht me policinë. Është punë e Policisë së Kosovës, për çka dua t’i uroj ata djem e vajza të cilët kanë veshur uniformën e Policisë së Kosovës, të cilët po dinë ç’mos me ruajtur imazhin dhe me ngritur besueshmërinë e qytetarëve në institucionin e Policisë së Kosovës”, është shprehur ajo.

Musliu ka renditur një varg problemesh që, sipas saj, janë përgjegjësi e Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke përmendur mungesën e uniformave, këpucëve, automjeteve dhe kushteve të përshtatshme të punës në stacionet policore.

“Ndërsa sa i përket ministrisë, ministria duhet të jetë e përgjegjshme, t’i kryejë detyrat edhe punët e saj, duhet me marrë vendime për Policinë e Kosovës, të sigurojë uniforma, të sigurojë këpucë, të sigurojë makina, të sigurojë kushte. Të gjitha stacionet e Policisë së Kosovës janë jashtë funksionit normal, ata punojnë në kushte të jashtëzakonshme. Nëse sot shkojmë edhe bëjmë një ankesë ose një kërkesë në polici, ti ballafaqohesh me dhjetëra probleme derisa të dalsh prej stacionit të policisë, duke filluar nga të ftohtit, pastaj nuk kanë printera, pastaj nuk kanë ngjyrë, pastaj nuk kanë letër e kështu me radhë dhe janë një varg problemesh të cilat janë përgjegjësi kryekëput e ministrisë që duhet t’i plotësojë kushtet adekuate”, ka deklaruar Musliu.

Ajo ka kërkuar gjithashtu rritjen e pagave për pjesëtarët e policisë, miratimin e ligjit për pensionim të parakohshëm, si dhe kompensimin e orëve shtesë, shujtave dhe sigurisë në punë.

“Sot jemi këtu ku jemi, ne duhet urgjentisht që ta ngrisim pagën e Policisë së Kosovës, që polici mos të detyrohet të punojë paradite polic e mbasdite kamarier ose sigurim ose taksist, duhet urgjentisht ta sjellim në Kuvend ligjin për pensionim të parakohshëm të Policisë së Kosovës, për çka janë, ka kërkesa të shumta prej Policisë së Kosovës, pastaj gjithashtu duhet të kujdesemi që orët shtesë të paguhen, të paguhet shujta, të paguhet siguria në punë e kështu me radhë. Domethënë, ne duhet të krijojmë kushte që niveli i sigurisë në Kosovë të rritet”, ka theksuar ajo.

Deputetja e PDK-së ka shprehur bindjen se raporti i ardhshëm mund të mos jetë i njëjtë, duke iu referuar zhvillimeve që, sipas saj, kanë ndikuar në sigurinë e vendit gjatë vitit 2026.

“Nuk do ta kemi, jam shumë e bindur që s’do ta kemi raportin e njëjtë për 2026-ën, sepse kemi pasur jashtëzakonisht shumë ngjarje dhe zhvillime të cilët e kanë cenuar sigurinë në vend, por më gëzon fakti që 2025-ën Kosova ka marrë këtë renditje”, ka përfunduar Musliu.

Edhe deputeti i Aleancës, Burim Ramadani në një intervistë për Ekonomia Online e ka konsideruar pozitiv vlerësimin e qytetarëve për sigurinë në Kosovë, duke theksuar se ky rezultat dëshmon një nivel të kënaqshmërisë dhe besimit në institucionet e sigurisë, veçanërisht në Policinë e Kosovës.

“Perceptimi i qytetarëve për sigurinë në rrugë, sigurinë në jetën e përditshme, është për t’u vlerësuar për faktin që tregon një nivel të kënaqmërisë, të besimit për institucionet e sigurisë, në radhë të parë te policia, sepse policia është institucioni që ka punë të përditshme me qytetarët. Sigurisht që kjo edhe mund të interpretohet në mënyra të ndryshme nëse flasim për fusha të ndryshme. Për shembull, nëse flasim për dhunën në familje, besoj që perceptimi do të ishte më ndryshe. Sidoqoftë, është kryesisht meritë e institucioneve të sigurisë dhe në radhë të parë të Policisë së Kosovës”, shtoi.

I pyetur se cilat janë fushat ku nevojiten përmirësime të mëtejshme, Ramadani ka vënë theksin te reagimi më i shpejtë i institucioneve dhe te zgjerimi i konceptit të sigurisë përtej aspektit policor.

“Përmirësimi i domosdoshëm është shpejtësia e reagimit, jo vetëm policor, por institucional në përgjithësi, dhe pastaj te ajo që njihet si siguri humane, pra siguria juridike, siguria ekonomike, siguria e ndërtesave, e punës e të tjera”, ka thënë ai.

Raporti i Gallupit për vitin 2025 e rendit Kosovën në vendin e pestë në Evropë për Indeksin e Ligjit dhe Rendit, pas Islandës, Zvicrës, Lituanisë dhe Norvegjisë.Rezultati pasqyron perceptimin e qytetarëve për sigurinë në jetën e përditshme, ndërsa deklaratat e përfaqësuesve politikë nxjerrin në pah edhe sfidat që mbeten për institucionet e vendit.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.