Kurti kritikon Gjykatën Speciale: Është monoetnike dhe pa transparencë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar Gjykatën Speciale, duke e cilësuar atë si një gjykatë të pazakonshme, monoetnike dhe me mungesë transparence.
Gjatë fjalimit në Kuvendin e Kosovës, Kurti tha se qëndrimi i tij ndaj kësaj gjykate mbetet i njëjtë që nga viti 2015, transmeton IndeksOnline.
“Unë nuk kam ndryshuar qëndrimin tim për Dhomat e Specializuara apo Gjykatën Speciale që nga pranvera e vitit 2015. Konsideroj që kjo Gjykatë Speciale, këto Dhoma të Specializuara, janë një gjykatë e pazakonshme. Aq të pazakonshme, saqë edhe termi sui generis duket i pamjaftueshëm për ta përshkruar, pasi sillet herë si gjykatë vendore e herë si tribunal ndërkombëtar. Por gjithsesi, është një gjykatë monoetnike me mungesë transparence”, deklaroi Kurti.
Ai foli edhe për dënimin e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë si shumë të lartë dhe duke pretenduar se aktgjykimi përmban pasaktësi faktike dhe historike.
Kurti përmendi gjithashtu raportin e ish-prokurorit të Task Forcës Speciale, Clint Williamson, të vitit 2014, si dhe çështjen e pretendimeve për trafikim organesh, duke thënë se ato nuk ishin përfshirë në raportin e tij.
Sipas Kurtit, mënyra se si janë trajtuar këto çështje krijon një narrativë alternative për historinë e luftës çlirimtare të Kosovës dhe një strukturë paralele me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së./IndeksOnline/

