United Hospital

46 raste të dhunës në familje që nga fillimi i vitit në Viti, policia ngre alarmin për përsëritjen e tyre

/ 4 minuta lexim

Viti – KKSB diskuton sigurinë publike, narkotikët, dhunën në shkolla dhe problemet infrastrukturore – kërkohet më shumë angazhim institucional për parandalimin e dukurive negative.

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) në Viti ka mbajtur mbledhjen e pestë, ku në fokus të diskutimeve ishin gjendja e sigurisë në komunë, rastet e dhunës në familje, përdorimi i narkotikëve, siguria në shkolla dhe shqetësimet e tjera të qytetarëve.

Një nga çështjet më shqetësuese të prezantuara në këtë takim ishte numri i rasteve të dhunës në familje. Zëvendëskomandanti i Stacionit Policor në Viti, toger Burim Musliu, bëri të ditur se nga mbledhja e fundit e KKSB-së janë regjistruar 80 raste penale, prej të cilave 13 kanë të bëjnë me dhunën në familje.

United Hospital

Sipas të dhënave të prezantuara nga policia, që nga fillimi i vitit në komunën e Vitisë janë evidentuar gjithsej 46 raste të dhunës në familje. Veçanërisht shqetësues mbetet përsëritja e këtyre rasteve nga persona të njëjtë, duke dëshmuar nevojën për mekanizma më efektivë të parandalimit dhe trajtimit të kësaj dukurie.

Musliu ka theksuar gjithashtu mungesën e një institucioni të specializuar për trajtimin e personave që përsërisin veprime të tilla, veçanërisht kur ata kanë edhe probleme të shëndetit mendor.

Siguria publike dhe shqetësimet pas ngjarjeve tragjike

Mbledhjen e kryesoi nënkryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu, i cili në fillim kërkoi një minutë heshtje në nderim të dy viktimave nga familja Bogujevci në Pozheran, të vrarë javën e kaluar, si dhe të një qytetari që humbi jetën në një aksident trafiku në Gërmovë.

Aliu vlerësoi se, pavarësisht këtyre ngjarjeve tragjike, gjendja e përgjithshme e sigurisë në komunën e Vitisë, gjatë periudhës ndërmjet dy mbledhjeve të KKSB-së, ka qenë e qetë.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, shprehu shqetësimin për ngjarjet e rënda që kanë ndodhur në komunë dhe në pjesë të tjera të Kosovës, duke kërkuar angazhim të përbashkët të të gjithë mekanizmave institucionalë për parandalimin e rasteve të tilla.

Narkotikët, qentë endacakë dhe infrastruktura rrugore

Përveç dhunës në familje, në mbledhje u diskutua edhe për përdorimin e narkotikëve, praninë e qenve endacakë dhe gjendjen e rrugës rajonale Viti–Gërlicë.

Zëvendëskomandanti i policisë ngriti shqetësimin për dëmtimin e kësaj rruge, duke theksuar se qytetarët po pësojnë dëme materiale në automjetet e tyre. Për këtë arsye, ai kërkoi ndërhyrjen e ministrisë përkatëse për rehabilitimin e saj.

Edhe kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Viti, Husamedin Hoxha, kërkoi shtimin e patrullimeve policore në vendbanime dhe në rrugët ku është e nevojshme të kontrollohet respektimi i kufizimeve të shpejtësisë.

Hoxha ngriti gjithashtu shqetësimet për vrasjet, përdorimin e narkotikëve dhe dhunën në shkolla, duke kërkuar masa konkrete për adresimin e këtyre problemeve.

Ekskursionet shkollore dhe masat për sigurinë e nxënësve

Një tjetër temë e diskutuar ishte siguria e nxënësve gjatë ekskursioneve shkollore në Shqipëri.

Kryetari Sokol Haliti rikujtoi vendimin për shtyrjen e këtij ekskursioni, për shkak të zhvillimeve dhe situatës së sigurisë në Shqipëri.

Ndërkohë, Husamedin Hoxha prezantoi edhe një shkresë të kryetarit të Këshillit të Prindërve të Shkollave të Mesme në Viti, përmes së cilës ishte kërkuar shtyrja e ekskursionit për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Gjatë takimit, Haliti foli edhe për vështirësitë buxhetore të komunës, duke veçuar barrën financiare që, sipas tij, po shkakton zbatimi i kontratës kolektive.

Në përfundim të mbledhjes u theksua nevoja për bashkëpunim dhe koordinim më të madh ndërmjet institucioneve komunale, qendrore dhe mekanizmave të sigurisë, me qëllim të parandalimit të dukurive negative, rritjes së sigurisë publike dhe adresimit të problemeve që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve të Vitisë./rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.