Sokol Haziri: Kërcënimet ndaj vëllezërve Haradinaj janë të papranueshme, Aleanca nuk frikësohet dhe nuk hesht
Gjilan – Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dega në Gjilan, Sokol Haziri, ka reaguar ndaj kërcënimeve të raportuara ndaj vëllezërve Haradinaj, duke i cilësuar ato si të papranueshme dhe të lidhura, sipas tij, me urrejtjen ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ai ka kërkuar nga organet e sigurisë që të identifikojnë përgjegjësit dhe të zbardhin motivet e këtyre kërcënimeve.
Në reagimin e tij publik, Haziri ka theksuar se kërcënimet ndaj vëllezërve Haradinaj nuk duhet të trajtohen vetëm si çështje individuale, por edhe si një shqetësim që prek klimën politike dhe sigurinë publike në vend.
Ai ka deklaruar se as vëllezërit Haradinaj dhe as Aleanca nuk do të tërhiqen përballë presioneve dhe kërcënimeve, duke e cilësuar subjektin politik që përfaqëson si të vetmen parti që, sipas tij, po mban një qëndrim të qartë opozitar në Kosovë.
Haziri u ka bërë thirrje institucioneve të sigurisë që të veprojnë me profesionalizëm, të identifikojnë personat përgjegjës dhe t’i vënë ata para drejtësisë, si dhe të hetojnë motivet dhe çdo lidhje të mundshme me nxitësit e këtyre veprimeve.
Një pjesë të reagimit të tij, kryetari i AAK-së në Gjilan e ka lidhur edhe me rastin tragjik të vrasjes në Vitomiricë. Ai ka ngritur dyshime se zhvillimet e fundit mund të ndikojnë në zhvendosjen e vëmendjes së opinionit publik nga përgjegjësia e Qeverisë për këtë rast, duke kërkuar që kjo çështje të trajtohet me seriozitet.
Sipas Hazirit, vendi po përballet me probleme dhe kriza të shumta, ndërsa qytetarët meritojnë transparencë, përgjigje dhe përgjegjësi institucionale.
Në fund të reagimit, ai ka përsëritur qëndrimin se Aleanca nuk do të heshtë përballë kërcënimeve dhe presioneve politike.
„Nuk na trembni dot! Aleanca nuk hesht përballë kërcënimeve dhe nuk tërhiqet përballë asnjë presioni politik”, ka përfunduar Haziri./rajonipress/

