Behgjet Pacolli reagon ashpër për Aeroportin e Vlorës: Duhej të ishte në funksion gjatë gjithë kësaj vere, kërkon përgjegjësi për dëmtimin e projektit
Biznesmeni dhe ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar lidhur me zhvillimet rreth Aeroportit të Vlorës, duke shprehur pakënaqësinë për mosfunksionalizimin e tij gjatë sezonit të verës. Ai ka ngritur akuza për veprime të kundërligjshme që, sipas tij, kanë dëmtuar një projekt me rëndësi ekonomike, ndërsa ka kërkuar që organet e drejtësisë të hetojnë të gjithë personat e përfshirë.
Pacolli ka deklaruar se Aeroporti i Vlorës duhej të ishte në funksion gjatë gjithë kësaj vere, duke gjeneruar të ardhura dhe përfitime ekonomike për të gjitha palët.
Në reagimin e tij, ai pretendon se grupe që kanë vepruar jashtë ligjit, me mbështetjen e personave që, sipas tij, janë fshehur pas autoritetit dhe forcës së shtetit, kanë punuar për të dëmtuar një vepër të ndërtuar me mund, përkushtim dhe dashuri.
Pacolli është shprehur se beson në drejtësi dhe pret që institucionet kompetente të vënë para përgjegjësisë të gjithë ata që, sipas tij, kanë kontribuar në dëmtimin e projektit, duke përfshirë edhe tentativën për tjetërsimin e kuotave në prill të vitit 2025, të cilën ai thotë se e kanë denoncuar si mashtruese.
Në vijim, Behgjet Pacolli ka përmendur edhe emrat e ish-administratorëve të VIA-s, Vegim Hoxha dhe Bujar Ejupi, për të cilët thotë se, sipas informacioneve paraprake që posedojnë, ekzistojnë dyshime për përfshirje në veprimet dëmtuese ndaj projektit. Ai ka kërkuar që organet e drejtësisë të hetojnë plotësisht rolin dhe përgjegjësinë e secilit.
Më poshtë, reagimi i plotë i Behgjet Pacollit:
Aeroporti i Vlorës duhej të kishte qenë në funksion gjatë gjithë kësaj vere, duke gjeneruar të ardhura dhe përfitime ekonomike për të gjitha palët.
Sipas vlerësimit tonë, grupe që kanë vepruar jashtë ligjit, të ndihmuara nga persona të fshehur pas autoritetit dhe forcës së shtetit, kanë punuar për të shkatërruar një vepër të ndërtuar me mund, përkushtim dhe dashuri.
Unë besoj te drejtësia dhe shpresoj se ajo do t’i vërë përpara përgjegjësisë të gjithë përgjegjësit për dëmtimin e këtij projekti: duke filluar nga autorët e tentativës së tjetërsimit të kuotave në prill të vitit 2025, të cilën e kemi denoncuar si mashtruese, e deri te të gjithë ata që kanë ndërmarrë, mbështetur apo mundësuar veprime shkatërruese dhe të kundërligjshme ndaj aeroportit.
Sipas informacioneve paraprake që kemi, dyshimet për përfshirje në këto veprime dëmtuese shtrihen edhe tek ish-administratorët e VIA-s, Vegim Hoxha dhe Bujar Ejupi. Presim që organet e drejtësisë të hetojnë plotësisht rolin dhe përgjegjësinë e secilit. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe askush nuk duhet të fshihet pas pushtetit për t’iu shmangur përgjegjësisë./rajonipress/

