Gjini kërkon arrestime e dorëheqje pas vrasjes së Arlindës: Ndryshe, institucionet janë spektatore të krimit
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar ashpër pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke kritikuar institucionet për dështimin në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.
Gjini ka veçuar mesazhin që Zekaj i kishte dërguar Prokurorisë në Pejë tri ditë para se të vritej.
“Uroj që të mos jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, citoi Gjini mesazhin e viktimës.
Ai tha se kjo fjali ishte më shumë se një paralajmërim, duke e cilësuar si testament të një gruaje që e kishte kuptuar rrezikun me të cilin përballej.
“Kjo fjali nuk u shkrua si letër. Kjo fjali u shkrua si testament. Arlinda Zekaj e kishte kuptuar saktësisht”, ka shkruar Gjini.
Ai ka ngritur shqetësimin edhe për numrin e grave të vrara gjatë këtij viti, duke deklaruar se tetë gra të vrara përbëjnë dëshmi të dështimit të sistemit për t’i mbrojtur qytetarët.
“Këtu po flasim për një shtet që thjesht nuk ekziston për njerëzit e vet”, ka theksuar ai.
Gjini ka kërkuar përgjegjësi institucionale për rastin, duke thënë se, nëse vrasja kalon pa arrestime, shkarkime dhe dorëheqje të personave që pretendohet se e kanë injoruar alarmin e viktimës, institucionet do të humbin rolin e tyre mbrojtës.
“Nëse kjo vrasje kalon pa arrestime, pa shkarkime dhe pa dorëheqje të menjëhershme të atyre që e injoruan alarmin e saj, atëherë institucionet tona nuk janë më mbrojtëse të ligjit. Janë spektatore të krimit”, ka deklaruar Gjini.
Në fund të reagimit, ai u ka shprehur ngushëllime familjarëve të Arlinda Zekajt dhe të gjithë atyre që e kanë njohur. /Telegrafi/

