Çitaku e arsyeton tërheqjen e Ligjit për Specialen: I kuptoj shqetësimet, qëllimi është të hiqen të gjitha mëdyshjet
Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK’së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas dërgimit të djeshëm të kërkesës zyrtare nga Grupi Parlamentar i PDK’së te presidentja Justina Shiroka-Pula për ta kthyer Ligjin për Gjykatën Speciale në Kuvend, duke thënë se ky ligj do të jetësohet.
Ajo tha se kjo kërkesë s’nënkupton tërheqje prej tij, por se kjo lëvizje do të shërbejë të hequr “çdo mëdyshje”.
“Por një gjë duhet të jetë e qartë: kërkesa e PDK-së për rikthimin e ligjit në Kuvend nuk është as tërheqje prej tij – dhe as nuk e zbehë atë. Qëndrimi ynë mbetet ai i ditës kur e propozuam dhe kur e votuam. Për t’u dhënë përgjigje pikëpyetjeve të ngritura, si sponsorizues i dhamë procesit edhe katër javë kohë. Qëllimi është një dhe i vetëm: të hiqet çdo mëdyshje, të forcohet baza juridike e ligjit dhe të sigurohet zbatimi i tij në praktikë”.
Postimi i plotë i Çitakut:
Ligji që mbron UÇK-në do të kalojë!
Po e them që në fillim, pa lënë vend për dilema: brenda katër javësh, ligji do të rishqyrtohet në Kuvend dhe do të hyjë në fuqi brenda afateve të parashikuara. Ky është zotimi ynë dhe do t’i qëndrojmë deri në fund.
E kuptoj shqetësimin e atyre që e kanë mbështetur sinqerisht këtë ligj dhe i mirëpresim kritikat e bazuara.
Por një gjë duhet të jetë e qartë: kërkesa e PDK-së për rikthimin e ligjit në Kuvend nuk është as tërheqje prej tij – dhe as nuk e zbehë atë. Qëndrimi ynë mbetet ai i ditës kur e propozuam dhe kur e votuam.
Për t’u dhënë përgjigje pikëpyetjeve të ngritura, si sponsorizues i dhamë procesit edhe katër javë kohë. Qëllimi është një dhe i vetëm: të hiqet çdo mëdyshje, të forcohet baza juridike e ligjit dhe të sigurohet zbatimi i tij në praktikë.
Për PDK-në dhe brenda PDK-së, nuk ka asnjë temë tjetër përveç jetësimit të këtij ligji, për të cilin jemi plotësisht të bashkuar dhe të vendosur.
Qytetarëve që protestuan, mbështetësve tanë dhe të gjithë atyre që besuan në këtë nismë u them: zotimi që kemi marrë para jush qëndron. Dhe këtë do ta çojmë deri në fund!

