BQK: Miratimi i Ligjit për AML/CFT hap rrugën për hapat e fundit për finalizimin e aplikimit të Kosovës në SEPA
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) mirëpret miratimin nga Kuvendi të ndryshimeve në Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit (AML/CFT), duke e vlerësuar këtë si një hap shumë të rëndësishëm drejt përfshirjes së Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).
Me miratimin e këtij Ligji plotësohet një nga kushtet kryesore legjislative, duke i hapur rrugë vazhdimit të procesit të nisur nga BQK-ja me paraaplikimin në vitin 2024. Pas hyrjes së Ligjit në fuqi, BQK-ja do të nxjerrë rregulloret përkatëse që burojnë prej tij dhe do të finalizojë përditësimin teknik të aplikimit, duke reflektuar edhe ndryshimet e ndërkohshme në legjislacionin evropian, në koordinim me institucionet përkatëse të BE-së.
Me përmbylljen e këtyre hapave, aplikimi do të dorëzohet për shqyrtim sipas procedurave dhe afateve të institucioneve kompetente evropiane. Ndërkohë, BQK-ja, në bashkëpunim me sektorin bankar, po vazhdon përgatitjet për zbatimin e skemave të pagesave SEPA.
BQK-ja mbetet e përkushtuar që procesi të avancojë sa më shpejt, duke siguruar përmbushjen e kërkesave përkatëse dhe koordinimin e nevojshëm me institucionet evropiane.
Përfshirja e Kosovës në SEPA do t’u mundësojë qytetarëve, bizneseve dhe diasporës pagesa ndërkufitare në euro më të shpejta, më të lehta dhe me kosto më të ulët, me kursime të vlerësuara në mbi 55 milionë euro në vit.

