Ardian Azemi kritikon punimet në Gjilan: Mungesa e planifikimit po vështirëson qarkullimin dhe punën e bizneseve
Gjilan – Ardian Azemi ka kritikuar mënyrën e organizimit të punimeve infrastrukturore në Gjilan, duke vlerësuar se hapja e disa vendpunishteve në rrugët më të frekuentuara të qytetit, përfshirë zonën qendrore, po shkakton vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe në funksionimin e bizneseve.
Përmes një postimi publik, Azemi ka theksuar se punimet infrastrukturore janë të nevojshme, por sipas tij, ato duhet të realizohen mbi bazën e një planifikimi të mirëfilltë, analizave paraprake dhe krijimit të alternativave për qarkullim, në mënyrë që të minimizohen pasojat për qytetarët dhe bizneset.
Ai ka përmendur kolonat e gjata të automjeteve, baltën dhe tollovinë në pjesë të ndryshme të qytetit, duke e cilësuar gjendjen aktuale si pasojë të mungesës së organizimit të duhur të punimeve.
Azemi ka ngritur shqetësime edhe për hapjen e përsëritur të të njëjtave rrugë për ndërhyrje në të njëjtat çështje, duke theksuar se një praktikë e tillë mund të sjellë shpenzime të panevojshme të parasë publike dhe kërkon menaxhim më të përgjegjshëm të investimeve.
Sipas tij, mbyllja e rrugëve pa ofruar alternativa të përshtatshme për qarkullim dhe mungesa e një dinamike më të shpejtë të punimeve në zonat me frekuentim të lartë po rëndojnë edhe më shumë situatën në qytet.
Ai ka vlerësuar se, veçanërisht në zonat ku zhvillohet aktiviteti ekonomik, nevojitet koordinim më i mirë i punimeve, në mënyrë që të mos pengohet funksionimi i bizneseve dhe lëvizja e qytetarëve.
Në përfundim, Azemi ka kërkuar më shumë planifikim, përgjegjësi dhe transparencë lidhur me realizimin e projekteve infrastrukturore, duke theksuar se qytetarët duhet të informohen qartë për dinamikën dhe afatet e përfundimit të punimeve.
Sipas tij, zhvillimi infrastrukturor i Gjilanit duhet të shoqërohet me organizim të mirëfilltë dhe respektim të interesit të qytetarëve dhe bizneseve./rajonipress/

