Profesor Xhafer Xhaferi me fjalë prekëse kujton Fehmi Hasanin: Mësimdhënësin e historisë dhe ish-kapitenin e KF “Liria” të Pogragjës
Gjilan – Profesor Xhafer Xhaferi ka ndarë një shkrim përkujtimor kushtuar Fehmi Hasanit, mësimdhënësit të historisë, bashkëfshatarit dhe ish-nxënësit të tij, duke kujtuar jetën, veprimtarinë në arsim dhe kontributin e tij në sportin e Pogragjës.
Në këtë shkrim, Xhaferi sjell kujtime personale nga njohja dhe bashkëpunimi shumëvjeçar me Fehmi Hasanin, i cili për dekada shërbeu në arsim dhe njëkohësisht u dallua si futbollist i përkushtuar, duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit të KF “Liria” të Pogragjës.
Më poshtë, shkrimi i plotë i profesorit Xhafer Xhaferi:
Lamtumirë Fehmi Hasani
Fehmi Hasani – mësimdhënësi i historisë, bashkëfshatari dhe ish-nxënësi im.
Sot, me një ndjenjë të veçantë respekti dhe krenarie, kujtoj bashkëfshatarin tim, ish-nxënësin tim dhe mikun e shumë viteve, Fehmi Hasanin.
Fehmiu lindi më 1 maj 1953 në Pogragjë. Ishte nxënës i dalluar, i përkushtuar dhe me karakter të fortë. Nga natyra ishte i qetë, i matur dhe i sjellshëm, cilësi që do ta shoqëronin gjatë gjithë jetës. Pas përfundimit të shkollimit, ai iu përkushtua profesionit të mësuesit dhe nga viti 1978 filloi punën si mësimdhënës i historisë në Shkollën Fillore të Pogragjës, ku shërbeu me përkushtim deri në pensionim.
Por Fehmiu nuk ishte vetëm mësues. Që në rininë e hershme ishte i lidhur ngushtë edhe me futbollin, të cilin e kishte pasion. Luajti për KF “Bashkimi” të Koretinit, ndërsa nga viti 1977 u bë pjesë e KF “Liria” të Pogragjës, në një periudhë kur klubi po përjetonte disa nga sukseset e tij më të mëdha.
Pikërisht në atë kohë pata nderin ta njoh Fehmiun edhe më nga afër, tashmë jo vetëm si ish-nxënës, por edhe si kapiten të klubit, kryetar i të cilit isha unë. Në fushën e futbollit ai shkëlqeu me lojën, disiplinën dhe karakterin e tij sportiv. Ishte ndër futbollistët më të mirë të ekipit dhe, për cilësitë e tij, mbajti edhe shiritin e kapitenit të “Lirisë”. Ishte nga ata lojtarë që jo vetëm luanin për ekipin, por edhe e përfaqësonin atë me dinjitet.
Kështu, rrugët tona u kryqëzuan në disa etapa të jetës: mësues–nxënës, bashkëfshatarë, kolegë në arsim dhe bashkëpunëtorë në sport. Këto lidhje krijuan një njohje e respekt që mbeti e veçantë ndër vite.
Fehmi Hasani ishte pjesë e një brezi që i shërbeu Pogragjës me punë, dije dhe përkushtim – si në arsim, ashtu edhe në sport.
Me respekt e mirënjohje për kujtimin e tij dhe për gjithçka që la pas në mesin e nxënësve, bashkëfshatarëve dhe sportdashësve të Pogragjës./rajonipress/


