Tërheqja e Bekim Sejdiut nga kandidatura për President, Nagavci: Klimë politike demotivuese për njerëzit me dije dhe përvojë
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se tërheqja e Bekim Sejdiut nga kandidatura për President ësht ëhumbjë për një proces që do duhej të sillte vëmendje.
Ajo tha se kjo gjë i demotivon njerëzit që dijen dhe përvojën duan ta japin në shërbim të shtetit.
“Tërheqja e prof. dr. Bekim Sejdiut nga gara për President të Republikës është humbje për një proces që do të duhej të sillte në vëmendje personalitete me integritet, profesionalizëm dhe kredibilitet. Fatkeqësisht, në vend që të krijojmë hapësirë për personalitete të tilla që të vënë dijen dhe përvojën e tyre në shërbim të shtetit, po krijohet një klimë politike që i demotivon ata. Përpjekja për ta çuar vendin me lehtësi drejt zgjedhjeve të reja po na dërgon nga një bllokadë në tjetrën, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë ndërtimin e një konsensusi që i duhet vendit”.
“Kosova nuk ka nevojë për bllokada të reja. Ka nevojë për përgjegjësi, stabilitet institucional dhe gatishmëri për të gjetur zgjidhje. Prof. Sejdiut i shpreh respekt dhe mirënjohje për gatishmërinë që, me integritetin dhe profesionalizmin e tij, t’i shërbejë Republikës”, ka shkruar Nagavci në Facebook. /Gazeta Express


