United Hospital

Përfundojnë fjalët përfundimtare në gjykimin ndaj Thaçit dhe tjerëve për pengim të drejtësisë, mbrojtja kërkon aktgjykim lirues

/ 6 minuta lexim
United Hospital

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka përfunduar procesi i paraqitjes së deklaratave përmbyllëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të akuzuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Në pjesën e dytë të kësaj seance, mbrojtja e të akuzuarve tha se nuk ka prova që inkriminojnë klientët e tyre në veprat penale që iu vihen në barrë, andaj kërkuan aktgjykim lirues.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të cilët ngarkohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, vazhdoi për të tretën ditë paraqitja e fjalëve përfundimtare nga palët në procedurë.

Në dy seancat paraprake, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar që Thaçi të dënohet me 6 vjet burgim, Smakaj, Kilaj dhe Fazliu me nga 3 vjet burigm, kurse Kuçi me 9 muaj burgim. Ndërkaq, ekipet mbrojtëse të të akuzuarve kërkuan lirimin e tyre në mungesë të provave, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Prokuroria në këtë seancë pretendoi se mbrojtja e të akuzuarve po largohet nga ligji, e në këtë mënyrë, sipas tyre, edhe nga provat.

Prokurori Matt Halling tha se në këtë proces gjyqësor, kemi pjesëmarrjen e një grupi personash që nga veprimet e përbashkëta tentojnë të pengojnë një person zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.

Kurse, prokurori Joshua Hafetz tha se në vizitat me të akuzuarin Smakaj, Thaçi ka dhënë udhëzime të hollësishme mbi atë çfarë duhej të dëshmonte dëshmitari Bislim Zyrapi.

Sipas Hafetz, ai tentonte ta udhëzonte veçanërisht për deklarimin në lidhje me Shtabin e Përgjithshëm.

Pas Prokurorisë, në kundërpërgjigje, ekipet mbrojtëse, kundërshtuan argumentet e Prkurorisë, duke kërkuar lirimin e klientëve të tyre.

Avokatja e Thaçit, Sophie Menegon tha se Prokuroria nuk mund të mbështetet në transkripte, për ta shpallur fajtor të mbrojturin e saj, me arsyetimin se nuk është përmbushur barra e provës.

Menegon tha se këto transkripte i kundërshtojnë në tërësi, duke theksuar se ata që i bënë këto transkripte- janë persona të panjohur.

Me kundërargumente ndaj Prokurorisë vazhduan edhe ekipet mbrojtëse të të akuzuarve të tjerë, të cilët po ashtu deklaruan se ZPS-ja nuk ka prova për t’i shpallur fajtor të akuzuarit, andaj duhet të merret aktgjykim lirues.

Joe Holmes, avokat i Isni Kilajt tha se nuk ka pasur tentativë nga i mbrojturi i tij për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave. Tha se nuk ka prova të pengimit të drejtësisë, ngase Kilaj nuk ka kontaktuar asnjë dëshmitar në rastin 6 (për krime lufte), andaj Gjykata duhet të marrë aktgjykim lirues.

Edhe avokati i Fadil Fazliut, David Young, kërkoi lirimin e klientit të tij, duke thënë se Prokuroria nuk ka prova që vërtetojnë fajësinë e tij.

Uji Dea

Kurse, avokati i Hajredin Kuçit, Alexander Admiral tha se nuk u vërtetua se klienti i tij ka kontaktuar ndonjë dëshmitar, dhe se nuk u përmend nga Prokuroria, andaj kërkoi lirimin e tij.

Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klilaj dhe Hajredin Kuçi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.

Po atë ditë (27 shkurt 2026), nisi dëshminë edhe dëshmitari i parë në këtë çështje gjyqësore, i cili ishte me masa mbrojtëse. Dëshmia e tij përfundoi më 2 mars 2026.

Më 3 dhe 4 mars 2026 dëshmoi dëshmitari i dytë Koen Herlaar- ekspert i kriminalistikës në Institutin e Kriminalistikës së Holandës. Po më 4 mars nisi dëshminë dëshmitari i tretë, Chrisopher Kelly- hetues i forenzikës digjitale. Ky dëshmitar e përfundoi dëshminë më 5 mars. Ndërsa, si dëshmitare e mbrojtjes së Thaçit dëshmoi ekspertja e transkriptimit në fushën e kriminalistikës, Helen Fraser. Ajo dëshmoi mç 11 dhe 12 maj 2026.

Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe më 2024 i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.