Gjilani në terr për të tretën ditë, qytetarët kërkojnë zgjidhje: “Ndriçimi publik nuk është luks, është nevojë”
Gjilan – Një pjesë e lagjeve të qytetit të Gjilanit tash e tri ditë po përballen me mungesë të ndriçimit publik, duke shkaktuar shqetësim dhe revoltë te banorët. Problemi, sipas qytetarëve, po zgjat pa një përgjigje të qartë dhe pa një zgjidhje konkrete nga institucionet lokale, ndërsa errësira në disa prej lagjeve të mëdha po shihet si çështje që prek drejtpërdrejt sigurinë dhe jetën e përditshme të banorëve.
Sipas informacioneve të banorëve, ndërprerja e ndriçimit publik lidhet me detyrimet financiare të Komunës së Gjilanit ndaj KEDS-it, çështje kjo që ka ndikuar në funksionimin e sistemit të ndriçimit në disa zona të qytetit.
Banorët thonë se një situatë e tillë është e papranueshme për një qytet të madh dhe se ndriçimi publik nuk mund të trajtohet si shërbim dytësor apo çështje që mund të presë.
“Ndriçimi publik nuk është luks, është nevojë”, thotë Besniku, qytetar i Gjilanit, i cili shprehet i shqetësuar për sigurinë në lagjen e tij.
Sipas tij, mungesa e ndriçimit krijon një ndjenjë pasigurie sidomos gjatë orëve të mbrëmjes dhe natës.
“Ne po biem në gjumë me frikën se po na sulmojnë hajnat, të cilët e shfrytëzojnë errësirën në mungesë të ndriçimit”, shprehet ai.
Qytetarët kritikojnë edhe mënyrën se si, sipas tyre, Komuna po komunikon me publikun. Ata thonë se në vend të adresimit të problemeve të përditshme të qytetarëve, zyrtarët komunalë janë më të pranishëm në rrjetet sociale me prezantime dhe lavdërime për punët e kryera.
Kritikat drejtohen edhe ndaj kryetarit të komunës dhe drejtorive përkatëse, të cilat, sipas qytetarëve, duhet të japin një përgjigje të qartë se kur do të rikthehet ndriçimi dhe si do të zgjidhet problemi financiar që ka çuar në këtë situatë.
Për banorët, çështja nuk është vetëm estetike. Errësira në rrugë, hapësira publike dhe lagje të banuara lidhet drejtpërdrejt me sigurinë, lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe ndjenjën e sigurisë së familjeve.
Leventi, një tjetër qytetar i Gjilanit, vlerëson se pakënaqësia mund të thellohet nëse institucionet lokale vazhdojnë, siç thotë ai, të mos i marrin seriozisht shqetësimet e qytetarëve.
“Është e habitshme heshtja e opozitës, sepse për këta të LVV-së e di që s’kanë asnjë ndjenjë mirëkuptimi për hallet e qytetarëve”, tha me ironi Leventi.
Përtej përkatësive politike, problemi i ndriçimit publik po rikthen në qendër të debatit një çështje themelore të qeverisjes lokale: a janë shërbimet bazike të qytetarëve prioritet i institucioneve apo ato mbeten në varësi të krizave financiare dhe administrative?
Tri ditë pa ndriçim në pjesë të qytetit mjaftojnë që një problem teknik të shndërrohet në shqetësim publik. Për qytetarët, përgjegjësia e Komunës nuk përfundon me njoftimet në rrjetet sociale apo me prezantimin e projekteve. Ajo matet edhe me funksionimin e shërbimeve më elementare, ato që qytetari i përjeton çdo natë në rrugën, lagjen dhe para shtëpisë së tij.
Nëse detyrimet ndaj operatorit energjetik janë shkaku i ndërprerjes, atëherë qytetarët kërkojnë transparencë: sa është borxhi, pse është krijuar, çfarë masash po ndërmerren dhe kur pritet rikthimi i plotë i ndriçimit publik?
Deri atëherë, një pjesë e Gjilanit vazhdon të përballet me errësirën, ndërsa shqetësimi i banorëve po shndërrohet gjithnjë e më shumë në revoltë qytetare./rajonipress/


