Konsumatorët gjilanas kritikojnë ETC-në: “Shpenzojmë qindra euro, ndërsa detyrohemi t’i bartim vetë produktet”
Gjilan – Problemet me pajisjet ndihmëse për blerësit në ETC në Gjilan po ngjallin pakënaqësi te konsumatorët, të cilët pretendojnë se defektet e shiritave lëvizës dhe karrocave të marketit janë bërë një dukuri e përsëritur.
Edhe pse ETC është një nga qendrat tregtare të frekuentuara nga qytetarët e Gjilanit, disa konsumatorë thonë se mirëmbajtja e pajisjeve që ua lehtësojnë procesin e blerjes nuk është në nivelin që presin nga një kompani e madhe.
Një prej tyre është Muharremi, konsumator i rregullt i ETC-së. Ai thotë se së fundmi ka shpenzuar më shumë se 200 euro për produkte ushqimore, por gjatë kalimit në arkë është përballur me një shirit lëvizës që nuk funksiononte.
“I shpenzova mbi 200 euro dhe kur shkova te arka pashë se shiriti nuk ecte. Më thanë se ka një prishje. Nuk është hera e parë që ndodh kjo. I bëj thirrje publike Ramiz Kelmendit që të merret më seriozisht me menaxherët ose me ata që duhet ta përcjellin gjendjen brenda ETC-së”, thotë ai.
Sipas tij, problemi nuk qëndron vetëm te një defekt i rastësishëm, por te fakti se pajisjet nuk riparohen me kohë, duke ua bartur barrën konsumatorëve.
Një tjetër konsumator, Selmani, ngre shqetësime edhe për gjendjen e karrocave për bartjen e produkteve. Ai thotë se disa prej tyre kanë defekte dhe nuk lëvizin lirshëm, duke e bërë më të vështirë blerjen, veçanërisht kur konsumatorët kanë sasi të mëdha të produkteve.
“ETC është kompani serioze dhe të ndodhin këso defekte vërtet është turp”, shprehet Selmani.
Ankesat e konsumatorëve ngrenë pyetjen nëse mirëmbajtja dhe kontrolli teknik i pajisjeve në këtë pikë të shitjes po bëhet në mënyrë të rregullt. Për një qendër që pranon një numër të madh blerësish çdo ditë, pajisje të tilla konsiderohen pjesë e rëndësishme e shërbimit ndaj konsumatorit.
Konsumatorët kërkojnë që drejtuesit e ETC-së në Gjilan t’u kushtojnë më shumë vëmendje këtyre problemeve dhe që defektet të evidentohen e të eliminohen në kohë, në mënyrë që blerësit të mos përballen me pengesa pas një blerjeje prej qindra eurosh.
Deri në publikimin e këtij lajmi, nuk kemi një qëndrim të ETC-së lidhur me ankesat e konsumatorëve. Kompania mbetet e ftuar të japë sqarimet e saj për gjendjen e shiritave lëvizës dhe karrocave, si dhe për masat që ndërmerren për mirëmbajtjen e tyre./rajonipress/


