Lamtumirë mantelit, jo kujtesës: Dr. Sejdullah Mahmuti përmbyll karrierën në Spitalin e Gjilanit
Gjilan – Pas një karriere të gjatë, të përkushtuar dhe të karakterizuar nga profesionalizmi e humanizmi, kirurgu i njohur dhe i respektuar nga pacientët, Dr. Sejdullah Mahmuti, është pensionuar nga Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit.
Për dekada me radhë, Dr. Mahmuti ka qenë pjesë e rëndësishme e shërbimit shëndetësor në Anamoravë, duke lënë gjurmë jo vetëm përmes punës së tij profesionale, por edhe përmes qasjes njerëzore ndaj pacientëve dhe bashkëpunimit me kolegët.
Me rastin e pensionimit të tij, menaxhmenti i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit e ka nderuar me mirënjohje për kontributin shumëvjeçar në shërbim të pacientëve dhe institucionit.
Drejtori i Spitalit, Dr. Afrim Cana, ka vlerësuar lart figurën profesionale dhe njerëzore të Dr. Mahmutit, duke theksuar se është nder ta përcjellin në pension një profesionist të përkushtuar dhe një njeri me dimension të veçantë human.
“Gjatë gjithë karrierës suaj keni dëshmuar profesionalizëm, përkushtim dhe mbi të gjitha humanizëm”, ka deklaruar Cana, duke shtuar se përvoja dhe vlerat e Dr. Mahmutit janë përcjellë ndër vite edhe te kolegët dhe brezat e rinj të profesionistëve shëndetësorë.
Në fjalën e tij, Dr. Sejdullah Mahmuti është shprehur i kënaqur me punën e realizuar gjatë viteve të shërbimit në Spitalin e Gjilanit. Ai ka veçuar përpjekjet e vazhdueshme për avancimin e proceseve, bashkëpunimin me kolegët, si dhe realizimin e ndërhyrjeve të ndryshme kirurgjikale që kontribuuan në zhvillimin e shërbimit të kirurgjisë në Anamoravë.
Pensionimi i Dr. Mahmutit shënon fundin e një kapitulli profesional, por jo edhe të gjurmës së tij në institucion dhe te pacientët që ndër vite e kanë njohur si një kirurg të përkushtuar, të dashur dhe të respektuar.
Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit e falënderoi për kontributin e çmuar ndër vite, duke i uruar shëndet, qetësi dhe momente të bukura në kapitullin e ri të jetës./rajonipress/



