Policia në Gjilan shqipton 1,597 gjoba në trafik brenda një jave
Gjilan – Policia e Kosovës në rajonin e Gjilanit ka shqiptuar 1,597 gjoba për kundërvajtje në trafik gjatë periudhës 4 deri më 10 shtator 2026, në kuadër të planeve operative për rritjen e sigurisë rrugore.
Sipas Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor dhe stacionet policore kanë zhvilluar kontrolle dhe aktivitete të shtuara në të gjithë rajonin.
Gjatë kësaj periudhe, policia ka hetuar 16 aksidente trafiku me dëme materiale dhe 17 aksidente me persona të lënduar. Po ashtu, masë e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike u është shqiptuar 41 ngasësve.
Policia Rajonale e Gjilanit u ka bërë apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të tregojnë kujdes të shtuar në afërsi të shkollave.
Në veçanti, drejtuesit e automjeteve janë këshilluar të respektojnë kufizimet e shpejtësisë, duke pasur parasysh praninë e shtuar të fëmijëve dhe nxënësve në trafik./rajonipress/


