Fundamenti

“Gomezi i ri” i Stuttgartit: Enis Rexhepi po shkëlqen dhe bind drejtuesit për kontratë të re

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Enis Rexhepi nuk pati nevojë për shumë kohë për t’u kthyer në një emër të njohur në mesin e tifozëve të Stuttgartit. Sulmuesi 18-vjeçar ka shpërthyer me paraqitjet e tij në javët e para të sezonit, duke zgjuar edhe ëndrrat e tifozëve për një tjetër talent të madh që mund të dalë nga akademia e klubit.

Paraqitjet e tij kanë qenë aq mbresëlënëse, saqë drejtuesit e Stuttgartit kanë vendosur të veprojnë shpejt për ta siguruar të ardhmen e tij.

Sipas raportimit fillestar të “Stuttgarter Nachrichten”, të konfirmuar më pas edhe nga “Kicker”, Rexhepi ka rinovuar kontratën me klubin deri në vitin 2028, ndërsa marrëveshja përmban edhe mundësinë e vazhdimit deri në vitin 2029.

Kontrata e mëparshme e tij ishte e vlefshme deri në vitin 2027. Njoftimi zyrtar nga klubi pritet të bëhet së shpejti.

Rexhepi dha edhe një tjetër spektakël të mërkurën mbrëma, në skenën evropiane të të rinjve. Ai shënoi tre gola në fitoren 5-0 të Stuttgartit ndaj Viking, në ndeshjen hapëse të “Championsit” për grupmoshat.

Dy prej golave erdhën nga pika e bardhë, me Rexhepin që tregoi qetësi të madhe në ekzekutim, ndërsa në kohën shtesë kompletoi het-trikun me një goditje të fuqishme, pas asistimit të Neno Zezeljit, një tjetër prej lojtarëve më të spikatur të takimit.

“E dija saktësisht se çfarë do të bëja, kështu që isha plotësisht i qetë”, deklaroi Rexhepi pas ndeshjes, duke folur për momentin kur mori përsipër ekzekutimin e penalltive.

Duket se te Rexhepi ekziston një rregull i veçantë: sa më e madhe të jetë skena, sa më i madh publiku dhe sa më i lartë presioni, aq më shumë ai shkëlqen.

ARKATANA

Këtë e dëshmojnë edhe statistikat e tij në ligën gjermane U19. Sulmuesi i Kombëtares U19 të Shqipërisë është aktualisht golashënuesi më i mirë, me 8 gola në vetëm katër paraqitje. Shpërthimi i tij më i madh erdhi në fitoren 6-1 ndaj Bayern Munichut, ku Rexhepi shënoi plot pesë gola, të gjithë brenda vetëm 50 minutave.

Në familjen e tij ekziston edhe një tjetër lidhje me Stuttgartin. Motra e tij, Dafina, e cila është tre vjet më e madhe, luan për ekipin e femrave të klubit.

Në Stuttgart, prej kohësh e kanë kuptuar se në akademinë e tyre kanë një talent të veçantë. Rexhepi është pjesë e Kombëtares U19 të Shqipërisë dhe kombinimi i fizikut, fuqisë dhe aftësive teknike ka bërë që ai të krahasohet edhe me një prej sulmuesve më të njohur që ka dalë nga klubi – Mario Gomezin.

Për këtë arsye, në mediat gjermane tashmë ka nisur të përdoret edhe epiteti “Gomezi i ri”, për një tjetër produkt të akademisë së Stuttgartit që duket se është gati për hapin e radhës në karrierë.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se debutimi i tij me ekipin e parë në Bundesligë do të vijë menjëherë. Stafi i trajnerit Sebastian Hoeness po e menaxhon me kujdes zhvillimin e tij dhe një hap më realist për momentin pritet të jetë aktivizimi i rregullt me Stuttgart II, ekipin e drejtuar nga Nico Willig, që garon në Ligën e Tretë gjermane.

Rexhepi tashmë ka bërë edhe hapin e parë në këtë drejtim. Fundjavën e kaluar, ai debutoi për Stuttgart II, duke hyrë në fushë si zëvendësues në fitoren 2-1 ndaj Würzburgut.

Duke parë ritmin me të cilin po shënon, paraqitjet që po prodhon dhe kontratën e re që e lidh me klubin deri në vitin 2028, Stuttgart duket se po përgatitet ta zhvillojë me kujdes një prej talenteve më premtues të akademisë së tij. Dhe nëse Rexhepi vazhdon të performojë në të njëjtin nivel, duket vetëm çështje kohe para se emri i tij të dëgjohet edhe në skenën e madhe të Bundesligës. /Telegrafi/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.