Pacolli reagon pas zhvillimeve në Prokurori: “Këto janë vetëm disa shantazhe e manipulime të poshtra”
Prishtinë – Biznesmeni dhe politikani Behgjet Pacolli ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Prokurori, duke rikujtuar, siç shprehet ai, “propagandën” dhe akuzat që ndër vite janë bërë ndaj tij, vëllait dhe familjes së tij.
Përmes një reagimi publik, Pacolli ka thënë se deklarimet e bëra ndër vite nga persona të ndryshëm, përfshirë avokatin Besnik Berisha, opinionistë, gazetarë dhe persona të tjerë, sipas tij, kanë ndikuar në krijimin e një perceptimi të gabuar publik dhe kanë dëmtuar projektet e tij.
Pacolli ka përmendur edhe rastin e VIA-s dhe çështjen e Delphosit, ndërsa ka ngritur akuza ndaj disa personave për të cilat thotë se pret që drejtësia t’i zbardhë.
Në reagimin e tij, Pacolli ka falënderuar organet e Prokurorisë për atë që ai e konsideron dëshmi se ndaj tij dhe vëllait të tij nuk është ngritur asnjëherë hetim apo aktakuzë.
Më poshtë është reagimi i plotë i Behgjet Pacollit:
“Të ndëruar miq,
Ju kujtohet propaganda e padrejtë në dëm timin, të vëllait tim dhe të familjes time.
Ju kujtohen deklarimet pompoze të avokatit Besnik Berisha se Pacolli do të arrestohet;
Ju kujtohen deklarimet e opinionistëve dhe gazetarëve të motivuar ndryshe;
Ju kujtohen publikimet e Valon Ademit, me të cilat manipulohej opinioni, madje edhe gjyqtarët lëshonin vendime joligjore që e shkatërruan projektin e VIA-s.
Ju kujtohet propaganda rreth Delphosit dhe akuzat (edhe tani implikojne emra që nuk kanë asnjë lidhshmëri me projektin, madje as me Zvicrën).
Ne e dimë mirë që Valon Ademi nuk ishte i vetëm.
Ai kishte komplicë jo vetëm Valon Llukën, ish-administratorin e VIA-s, njeri që, me mashtrimet dhe hajnitë e tij, sot për sot i ka shkaktuar dëme prej më shumë se qindra milionash kompanisë ku është ngritur dhe së cilës i është besuar për më shumë se 19 vite, por edhe eksponentë tjerë që abuzojne me forcen, tani të njohur për ne.
Sidoqoftë, i falënderoj organet e Prokurorisë që dëshmuan se për mua e as për vëllain tim asnjëherë nuk ishte ngritur asnjë hetim apo aktakuzë, edhe pse eksponentët që i njohim kishin tentuar ta ndalonin vëllain tim (pa urdhër zyrtar, pa arsye, por duke abuzuar me forcën politike).
Këto janë vetëm disa shantazhe e manipulime të poshtra.
Këtu nuk flas ende se nga ku u financua Valon Ademi për të kryer punët që pretendon se i ka kryer në Aeroportin e Vlorës (punë që për së dyti u paguara nga kredia e BKT-së, kredi të cilën sot BKT-ja kërkon që të paguhet nga Mabco).
Shpresoj që MIE do të lejojë një auditim financiar, të cilin jemi duke e kërkuar që nga tetori i vitit të kaluar.
Do të flasim edhe për 30 kamionë që Valon Lluka dhe Valon Ademi i blenë me 14 milionë të Mabcos, dërguan fotografitë se ata erdhën dhe, në të njëjtën ditë, i shitën duke i inkasuar paratë për xhepat e tyre.
Do të flas edhe për punën e Valon Llukës që në të njëjtën kohë drejtonte bordin e Bankës në Kosovë.
Do të flas edhe për një mashtrim tjetër të paautorizuar të Valon Llukës prej 2 miljarë Euro në dëm të llogarisë private timen që ai menaxhonte në mirëbesim.
Por shpresoj që drejtësia, përmes shteteve ku vepruan, një ditë do ta zbardhë këtë krime.”**
Pacolli ka bërë të ditur se për çështjet e përmendura do të flasë më gjerësisht në të ardhmen, ndërsa ka shprehur shpresën se organet e drejtësisë do t’i hetojnë dhe sqarojnë pretendimet e ngritura./rajonipress/




