Fundamenti

Berat Buzhala: ​Kjo shoqëri ka vdekur, për momentin

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Ajo është vetëvrarë, e shtyrë nga veprimtaria e përbashkët kriminale e Hashim Thacit, Isa Mustafës, Albin Kurtit, Ramush Haradinajt, dhe disa të tjerëve.Gjendja në të cilën është shoqëria e jonë, ku përfshihet politika, arsimi, shëndetësia, ekonomia etj., mund të konstatojmë pak frikë se tashmë nuk është vetëm në rrugë të gabuar. Se konstatimi ‘rrugë e gabuar’, nënkupton që ne jemi në një rrugë, por që fatkeqësisht nuk është rruga e duhur.

E vërteta është shumë më e hidhur: ne nuk jemi fare në rrugë.

Sa më shumë që kalojnë vitet prej kur jemi çliruar nga okupimi serb, ne vetëm po largohemi prej orbitës, ku rëndom sillën shoqëritë normale. Tashmë, madje, dukemi në rrugë shumë të mbarë prej ku mund të mos kthehemi fare. Në terra incognita

Kjo çfarë po shkruaj nuk mund të quhet më as disfatiste. Gjendja është komikisht e pashpresë. Verbërimi është aq flagrant sa tash më nuk mund ta dallojmë as dritën prej territ. Njërin prej syve tanë e ka verbëruar Qeveria, e tjetrin Opozita.

Sepse ta akuzosh vetëm Qeverinë, ose vetëm ketë Qeveri, për ketë mjerim, është sikur ta fajësosh vetëm njërin prej lojtarëve të ekipit, kur skuadra e tij humbët 6-0, siç i ndodhi dje Espanjollit, në ndeshjen me Real Madridin.

Sigurisht se njëri prej 11 lojtarëve duhet të ketë qenë më i dobëti në fushë, por për katastrofën përgjegjësi, pothuajse në mënyrë të njëjtë, mbanë i gjithë ekipi.

E njëjtë është gjendja në shoqërinë tonë.

Patjetër që përgjegjësinë më të madhe për mungesën totale të orientimit ekonomiko – kulturore e mbanë kjo qeveri, ajo para saj, si dhe ajo para saj… Mirëpo, një Qeveri, sado e dobët, nuk do të mundte, edhe po të dëshironte, të shkaktonte një huti kaq të madhe në popull, sic është rasti me ne.

I bindur që tashmë i humba shumicën e lexuesve, për shkak të gjatësisë së shkrimit, megjithatë po vazhdoj edhe pak më gjatë, qoftë edhe nëse mbetëm i vetëm në këtë shkrim…

Kjo madje mund të më shërbejë si një shtysë pozitive, që të mos kujdesem fare për mendimin e juaj, se a pajtoheni ose ju me çfarë po shkarravis këtu.

Pra, lë të kthehemi aty ku mbetëm.

Një Qeveri e dobët, e një populli të gjallë, mund të abuzojë me votën e qytetarëve vetëm në një palë zgjedhje. Sepse nuk mund të kemi në mënyrë rastësore vazhdimisht Qeveri të dobët. Nëse gjendja e përkohshme shndërrohet në një gjendje të përhershme, atëherë duhet të themi pa frikë se kemi shoqëri në vdekje e sipër, ose tashmë të vdekur. Unë anoj kah opcioni i dytë. Klinikisht e vdekur.

FIDANISHTJA

Këtë konstatim është mirë ta bëjmë më shkrim, pa pasur fijën e frikës që do ta lexojë populli. Ky popull, po të lexonte nuk do të ishte këtu ku është katandisur. Ne po flasim për një popull që lexon vetëm mesazhe telefonike, e edhe ndonjë status në FB, ku ka më pak se 200 fjalë. Shumë shpejtë nuk do të di të lexojë, populli, as vetëm kaq. Po shkojmë drejt situatës absurde kur më popullin duhet të komunikojmë vetëm më gojë dhe me foto.

Populli, shoqëria, elitat, ju vet ngjitjani emrin, ka kohë që ka rënë prej majes së humnerës, në fund të saj. Nëse keni pritur gjak, thyerje kockash dhe vdekje, atëherë keni pritur më kot. Populli dhe shoqëria nuk vdesin, sikur kur vdes njeriu. Nuk ekziston as vendi specifik i krimit.

Kjo mund të mos konsiderohet as krim. Vetëvrasja nuk është krim. Dhe kjo shoqëri është në një gjendje të vazhdueshme të kryerjes së vetëvrasjes tash e pothuajse 2 dekada. Ky, madje, mund të jetë akti më i gjatë i vetëvrasjes i kryer ndonjëherë.

Kurse vdekja kolektive, shoqërore, nuk ngërthen në vete edhe vdekjen fizike individuale. Ne kemi vdekur si tërësi, sepse nuk funksionojmë më si tërësi. Thënë ndryshe, shoqëria jonë, aktualisht, nuk ka nevojë, dhe nuk ndien nevojë që të ekzistojë. Ajo duket sikur ekziston, së paku në kuptimin juridik të saj, jo pse ne pjesët e saja e duam këtë, por sepse rrethanat historike ishin të tilla.

Përndryshe, tashmë ka një shkëputje të madhe në mes të asaj që mund të konsiderohet publike dhe shtetërore, prej asaj çka mund të konsiderohet private.

Ne jetojmë në dy botë të ndryshme. Shteti dhe publikja me hallet e tyre, kurse familja dhe privatja me ca halle të tjera, krejt të ndryshme.

Kështu për shembull, në familje, me babën dhe me nanën, më vëllaun e motrën, më fëmijët dhe bashkëshorten/in ne angazhohemi për të diskutuar për punësim, për rritjen e të hyrave tona, për sëmundjet që i kemi ose që mund t’i kemi, për shkollimin e fëmijëve tanë etj.

Ky diskurs ka kohë që ka pushuar së ekzistuari, pra ka vdekur, tek publikja dhe shtetërorja. Ajo çfarë flasim ne në familje është krejtësisht e huaj prej çfarë flasim ne në Kuvend, në Qeveri, në gazeta dhe televizione. Këto të fundit, pra të vdekura siç janë, merren, ose trajtojnë tema për të cilat qytetari ka kohë që ka pushuar se qënuri i interesuar.

Prandaj, sot, në sferën publike, të gjithë flasin për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, dhe për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, por askush nuk ka guximin që të ftojë qytetarët që të dalin në rrugë për të përkrahur këto kauza. Cilat kauza? Këto nuk janë kauza të qytetarëve. Këto janë thjeshtë kauza, teorike dhe absurde, të partive politike për të ardhur në pushtet. Por këto nuk janë temat e qytetarëve. Këto nuk janë çfarë flasin familja pasdarkave, ose në mëngjes. Këto janë tema çfarë flasin Albini dhe Ramushi pas darkave. Këto nuk janë hallet tona.

Hallet tona më nuk po kuptohen. Ata që i kanë marrë peng hallet tona, i kanë marrë peng edhe partitë politike, e edhe organet shtetërore, duke ua lënë këtyre të fundit të drejtën për të biseduar vetëm për çështje që tashmë kanë kaluar. Që i takojnë historisë. Që nuk mund të kthehen. Të tilla janë demarkacioni dhe asociacioni.

Kurse ato për çfarë në interesohemi, për çfarë ne flasim në familje, nuk depertojnë në nivel nacional, sepse kështu nuk dëshirojnë Ramushi e Albini, e as Isa dhe Hashimi.

Dhe për të arritur deri në këtë pikë, ku nuk reagohet më, nuk ka qenë një punë e lehtë. Është dashur që në vazhdimësi, për ditë, të shkatërrohet arsimi në të gjitha nivelet. Për këtë arsye nuk po rrehë më pulsi. Sepse kjo shoqëri është e vdekur. Është e vetëvrarë. Nuk funksionon. Është sjellë në këtë gjendje nga një ndërmarrje e përbashkët kriminale e Hashim Thaçit, Isa Mustafës, Albin Kurtit, Ramush Haradinajt, dhe disa të tjerëve, më pak më pak përgjegjësi.