Të shtëna me armë zjarri në Viti, policia konfiskon dy gëzhoja – i dyshuari në kërkim
Viti – Një rast i përdorimit të armës dhe mbajtjes së paautorizuar të saj është raportuar mbrëmjen e së hënës në Viti, ku një person dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në ajër pranë oborrit të një shtëpie.
Sipas raportimit të Policisë së Kosovës, rasti është evidentuar rreth orës 19:35, pasi një ankuesе femër, shtetase kosovare, ka deklaruar se derisa ndodhej te familja e saj kishte pasur një problem me një të dyshuar mashkull, po ashtu shtetas kosovar.
Sipas dëshmisë së viktimës, i dyshuari është afruar pranë oborrit të shtëpisë dhe më pas ka shtënë me armë zjarri në ajër.
Pas marrjes së informacionit, njësiti policor ka dalë në vendin e ngjarjes, ku gjatë veprimeve hetimore ka gjetur dhe konfiskuar dy gëzhoja, të cilat pritet të shërbejnë si prova materiale në procedurën e mëtejshme hetimore.
Nga të dhënat e raportuara, nuk ka persona të lënduar si pasojë e të shtënave.
Ndërkohë, i dyshuari nuk është lokalizuar ende dhe aktualisht gjendet në kërkim policor.
Rasti është iniciuar për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës” dhe “Përdorimi i armës”, ndërsa hetimet nga organet kompetente janë duke vazhduar për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e vendndodhjes së të dyshuarit./rajonipress/


