Hyjnë ilegalisht nga Serbia në Kosovë, ndalohen nga policia në rrugën Stublinë–Doberqan
Gjilan – Një burrë dhe një grua, shtetas të Serbisë, janë ndaluar nga Policia e Kosovës pasi dyshohet se kanë hyrë ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës.
Rasti është evidentuar në rrugën Stublinë-Doberqan, ku një njësi policore ka ndaluar një veturë me targa të Serbisë, në të cilën ndodheshin dy persona, një mashkull dhe një femër, të dy shtetas të Serbisë.
Gjatë verifikimeve, të dy personat kanë deklaruar para zyrtarëve policorë se në territorin e Kosovës kishin hyrë nga Serbia, duke përdorur rrugë ilegale, duke shmangur kështu pikat e rregullta të kalimit kufitar.
Pas konsultimit me prokurorin kompetent, ndaj tyre është iniciuar rasti për kalim ilegal të kufirit, ndërsa të dyshuarit janë dërguar përmes procedurës së shpejtë në gjykatë për kundërvajtje.
Policia e Kosovës vazhdon kontrollet dhe monitorimin e rrugëve kufitare me qëllim parandalimin e kalimeve të paligjshme dhe garantimin e sigurisë përgjatë vijës kufitare./rajonipress/


