“Gjilani po merr pamje të re”, por qytetarët e gozhdojnë Alban Hysenin për kaosin në qendër të qytetit
Gjilan – Njoftimi i kryetarit për mbylljen e një segmenti të rrugës për shkak të punimeve në kuadër të projektit “Bulevardi i Pavarësisë” ka shkaktuar reagime të ashpra në rrjetet sociale. Qytetarët kanë shprehur pakënaqësi për kaosin e krijuar në komunikacion, ndërsa disa prej tyre kanë kritikuar drejtpërdrejt kryetarin Alban Hyseni dhe mënyrën e menaxhimit të punimeve.
Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka njoftuar qytetarët se për shkak të punimeve në kuadër të transformimit të infrastrukturës në qytet, nga 29 deri më 30 gusht 2026 do të mbyllet për qarkullim segmenti i rrugës nga rrethrrotullimi te Hotel “Kristal” deri te Rruga “Ibrahim Rugova”.
Në njoftimin e tij, Hyseni ka deklaruar se “Gjilani po merr një pamje të re”, duke kërkuar nga qytetarët që të respektojnë sinjalizimin dhe rrugët alternative gjatë zhvillimit të punimeve.
Megjithatë, postimi i kryetarit nuk ka kaluar pa reagime të forta. Në komentet e publikuara nga qytetarët, kritikat janë përqendruar kryesisht te kaosi i krijuar në qendër të qytetit, organizimi i punimeve, siguria e qytetarëve dhe mënyra e menaxhimit të projekteve infrastrukturore.
Njëri prej komentuesve, Lulzim Ferati, ka ngritur shqetësime të forta lidhur me sigurinë e qytetarëve në zonat ku po zhvillohen punimet, duke e akuzuar rëndë mënyrën e pranimit dhe realizimit të punimeve. Ai ka paralajmëruar edhe adresimin e çështjes në organet e drejtësisë.
“Turp i madh…”, ka shkruar Ferati, duke pretenduar se situata paraqet rrezik për qytetarët dhe duke kërkuar përgjegjësi institucionale.
Ndërkohë, komentuesi Fahrush Afizi i është drejtuar drejtpërdrejt kryetarit Hyseni me një sërë pyetjesh dhe kritikash, duke kërkuar informacion edhe për gjendjen e stadiumit të qytetit.
“O kryetar Alban Hyseni, punë të mbarë. Me stadiumin e qytetit çfarë po ndodh, a ka naj informacion?”, shkruan ai, për të vazhduar më pas me një krahasim ironik lidhur me numrin e projekteve që po zhvillohen në qytet.
Një tjetër qytetar, Endrit Aliu, ka reaguar shkurt me komentin: “Autostradaaaa kryetar”, në një reagim që duket se ironizon gjendjen e punimeve dhe ndryshimet e shumta infrastrukturore në qytet.
Përderisa Komuna e Gjilanit e paraqet projektin “Bulevardi i Pavarësisë” si pjesë të transformimit të qytetit, reagimet në postimin e kryetarit tregojnë se një pjesë e qytetarëve mbeten të pakënaqur me mënyrën se si po zhvillohen punimet dhe ndikimin e tyre në jetën e përditshme.
Punimet mund të sjellin ndryshime të mëdha në pamjen e qytetit, por përballë tyre qëndron sfida e menaxhimit të komunikacionit, sigurisë dhe minimizimit të shqetësimeve për qytetarët./rajonipress/


