300 euro gjobë për personin që hodhi mbeturina në livadhet e Malishevës
Gjilan – Hedhja e mbeturinave në hapësira publike po përballet me masa konkrete nga autoritetet komunale. Drejtoria e Inspeksionit në Gjilan ka identifikuar dhe gjobitur një person përgjegjës për hedhjen e mbeturinave në livadhet e Malishevës.
Rasti është evidentuar pas pranimit të një ankese nga qytetarët, pas së cilës inspektorët kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme në terren për identifikimin e personit përgjegjës. Pas konstatimit të shkeljes, ndaj tij është shqiptuar gjobë në vlerë prej 300 eurosh, ndërsa njëkohësisht është urdhëruar që mbeturinat e hedhura në mënyrë të kundërligjshme t’i largojë nga lokacioni dhe t’i dërgojë në Deponinë Regjionale të Mbeturinave.
Pas urdhrit të inspektorëve, personi përgjegjës ka respektuar kërkesën dhe ka bërë largimin e mbeturinave nga hapësira e ndotur.
Nga Drejtoria e Inspeksionit është bërë apel te qytetarët që të tregojnë përgjegjësi ndaj mjedisit dhe të shmangin hedhjen e mbeturinave në livadhe, hapësira publike apo lokacione të tjera të papërcaktuara për deponim.
Autoritetet kanë rikujtuar se Deponia Regjionale e Mbeturinave është e hapur edhe të shtunave, nga ora 08:00 deri në 16:00, duke ofruar mundësi për deponimin e mbeturinave në mënyrë të rregullt dhe të kontrolluar.
Drejtoria e Inspeksionit ka paralajmëruar se ndaj personave që shkelin rregullat për menaxhimin e mbeturinave do të ndërmerren masa në përputhje me legjislacionin në fuqi, ndërsa qytetarët janë ftuar të kontribuojnë në ruajtjen e hapësirave publike dhe krijimin e një mjedisi më të pastër e më të shëndetshëm./rajonipress/


