Kosova importon 720.5 milionë euro mallra për një muaj, deficiti tregtar rritet 6.8%
Importet e Kosovës vazhdojnë të jenë shumëfish më të larta se eksportet, duke e çuar deficitin tregtar në nivele të larta edhe gjatë korrikut 2026. Për vetëm një muaj, Kosova bleu nga jashtë mallra në vlerë prej 720.5 milionë eurosh, ndërsa eksportoi vetëm 104.8 milionë euro.
Të dhënat e tregtisë së jashtme për korrikun 2026 tregojnë se ekonomia e Kosovës vazhdon të karakterizohet nga një varësi e lartë nga mallrat e importuara.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës gjatë korrikut 2026, Kosova importoi mallra në vlerë prej 720.479 milionë eurosh, ndërsa eksportoi mallra në vlerë prej 104.784 milionë eurosh.
Në krahasim me korrikun e vitit 2025, kur importet ishin 660.207 milionë euro, në korrik 2026 ato u rritën për 9.1 për qind. Eksportet, ndërkaq, u rritën nga 83.826 milionë euro në 104.784 milionë euro, ose për rreth 25 për qind.
“Eksporti i mallrave në muajin korrik 2026 kishte vlerën 104.8 milionë euro, ndërsa importi 720.5 milionë euro, që është një rritje prej 25.0% për eksport, si dhe një rritje prej 9.1% për import”, thuhet në komunikatën e ASK-së.
Deficiti tregtar në korrik 2026 arriti në 615.695 milionë euro, krahasuar me 576.381 milionë euro në korrik 2025. Kjo paraqet rritje prej 39.3 milionë eurosh, ose 6.8 për qind.
Eksportet mbuluan 14.5 për qind të importeve. Kështu, për çdo 100 euro importe, në korrik 2026 u eksportuan mallra në vlerë prej rreth 14.5 eurosh.
Nga vendet jashtë Bashkimit Evropian dhe CEFTA-s, Kosova importoi 328.231 milionë euro mallra, ose 45.6 për qind të importeve të përgjithshme. Në korrik 2025, importet nga këto vende ishin 297.519 milionë euro, ose 45.1 për qind.
Turqia përbënte 13.5 për qind të importeve, ndërsa Kina 13.3 për qind.
Nga vendet e Bashkimit Evropian, në korrik 2026 u importuan mallra në vlerë prej 303.414 milionë eurosh, ose 42.1 për qind të importeve të përgjithshme. Në korrik 2025, importet nga BE-ja ishin 283.051 milionë euro, ose 42.9 për qind.
Ndër vendet e BE-së, Gjermania përbënte 12.8 për qind të importeve, Italia 5.9 për qind dhe Polonia 4.0 për qind.
Nga vendet e CEFTA-s, importet arritën në 88.834 milionë euro, ose 12.3 për qind të importeve totale. Një vit më parë, importet nga CEFTA ishin 79.638 milionë euro, ose 12.1 për qind.
Maqedonia e Veriut përbënte 4.9 për qind të importeve totale, Shqipëria 3.3 për qind dhe Serbia 3.0 për qind.
Produktet minerale përbënin 15.7 për qind të importeve totale.
Ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani përbënin 13.3 për qind; makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike 12.4 për qind; mjetet e transportit 11.5 për qind; ndërsa metalet bazë dhe artikujt prej tyre 9.4 për qind.
Në strukturën e eksporteve, metalet bazë dhe artikujt prej tyre përbënin 27.8 për qind, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani 12.7 për qind, plastika dhe goma 10.1 për qind, produktet minerale 9.5 për qind, ndërsa artikujt e ndryshëm të prodhuar 7.1 për qind.
Në korrik 2026, vlera e importeve ishte 720.479 milionë euro, ndërsa ajo e eksporteve 104.784 milionë euro, duke rezultuar me deficit tregtar prej 615.695 milionë eurosh.


