United Hospital

SHBA-ja kërkon zgjidhjen e ngërçit, Mulolli: Liderët s’duhet t’i injorojnë këto thirrje, Kosova po humb shumë

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Kosova po humb në shumë aspekte për shkak të ngërçit politik dhe mungesës së institucioneve funksionale, ndërsa liderët politikë nuk duhet t’i injorojnë thirrjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe për tejkalimin e krizës, vlerëson drejtori i institutit të konsulencës politike “POLCON”, Fitim Mulolli.

Ai ka thënë se thirrjet e partnerëve ndërkombëtarë janë në interes të Kosovës dhe synojnë që vendi të jetë politikisht dhe ekonomikisht stabil, pas investimeve të vazhdueshme perëndimore në ndërtimin e institucioneve dhe demokratizimin e Kosovës.

Mulolli ka theksuar se Kosova nuk e ka luksin të mbetet pa institucione dhe diplomaci aktive, veçanërisht përballë aktiviteteve të Serbisë dhe Rusisë.

“Po Kosova është duke humbur jashtëzakonisht shumë në të gjitha aspektet prandaj këto thirrje të drejtuara nga miqtë tanë ndërkombëtarë, kryesisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Bashkimi Evropian, pra kryesisht pjesa perëndimore janë thirrje dashamirëse ku do të thotë dëshirojnë të shohin një Kosovë stabile politikisht dhe ekonomikisht, për çka dhe kanë investuar më shumë se 25 vite, 26 vite vazhdimisht në këtë ndërtim të institucioneve, në stabilitet, në demokratizim e kështu me radhë”, tha ai për Ekonominë Online.

Mulolli u ka bërë thirrje liderëve politikë që të mos i injorojnë këto kërkesa, duke vlerësuar se Kosova duhet ta forcojë orientimin euroatlantik.

“Liderët politikë nuk duhet t’i injorojnë këto thirrje sepse janë thirrje siç po e them nga miqtë tanë, janë thirrje nga ata miq të cilët ne kemi aleancë dhe synojmë ta forcojmë atë aleancë do të thotë pra perëndimore, euroatlantike, sepse arena ndërkombëtare ende vazhdon të jetë bipolare do të thotë me një ndikim lindor nëse e quajmë ashtu të Rusisë dhe Kinës dhe në anën tjetër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prandaj, injorimi i këtyre këshillave dhe thirrjeve të miqve tanë amerikanë nuk duhet të ndodhë nga institucionet tona”, tha ai.Sipas tij, mungesa e institucioneve dhe diplomacisë aktive e dobëson pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare, në një kohë kur Serbia dhe Rusia, sipas tij, janë aktive në lobim kundër Kosovës.“Për më tepër, Kosova ende nuk e ka sovranitetin e konsoliduar ndërkombëtar, për shkak të njohjes parciale të shtetit jo nga të gjitha vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara, prandaj Kosova nuk e ka luksin që të rrijë pa institucione, që të rrijë pa një diplomaci aktive, që të rrijë pa kontrata lobime në qendrat kryesore ndërkombëtare si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Brukseli, Londra e kështu me radhë, sepse ne e dimë që kundërshtarët tonë të mëdhenj të pavarësisë, Serbia dhe Rusia, janë super aktivë në diplomaci, janë super agresivë, kanë kontrata të mëdha lobimi, të cilat çojnë peshë shumë sepse sigurojnë qasje tek politikanët e nivelit të lartë në këto qendra vendimmarrëse në Uashington, New York, Bruksel, Londër e kështu me radhë”, tha Mulolli.

Ai ka paralajmëruar edhe pasoja ekonomike nga situata aktuale politike, duke thënë se fokusi i institucioneve është larg zhvillimit ekonomik dhe punësimit.

“Plus në anën tjetër kemi humbje të mëdha ekonomike që fokusi i politikës sonë dhe qeverisë nuk është në ekonomi, nuk është në zhvillim, nuk është në punësim, përpos humbjeve të përditshme që po bëhen me zgjedhje tani me dhjetëra miliona euro që derdhen për organizim të zgjedhjeve, për fushata e kështu me radhë”, tha ai.

Duke folur për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit, Mulolli është shprehur skeptik.

Ai ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për, siç tha, mungesë të një qëndrimi konsistent ndaj opozitës.

“Unë jam skeptik se mund të ketë zgjidhje, arsyeja kryesore është sepse kryeministri në detyrë zoti Kurti është duke përdorur të njëjtën strategji që ka përdorur edhe 18 muajt e mëparshëm, pra po e bën një taktizim ku del një ditë me një deklaratë pozitive shpresëdhënëse ku lavdëron opozitën për bashkëpunim, dhe tre-katër ditë më pas del me një deklaratë tjetër tërësisht të kundërt, pra kundërthënëse me atë të parën, ku sulmon opozitën nëse po kërkon më shumë se sa që i takon sipas rezultatit zgjedhor. Prandaj nuk e ka zoti Kurti një pozicion të qartë, një linjë konsistente në këtë drejtim, ku thotë po, po bashkëpunojmë me opozitën dhe vazhdojmë t’i trajtojmë si të tillë, si partnerë. Mirëpo njërën ditë i lavdëron dhe e çmon bashkëpunimin e tyre, pas tre ditëve del dhe deklaron ndryshe”, tha ai.

Sipas Mulollit, LDK-ja është e vetmja parti opozitare që po tregohet konstruktive në procesin e krijimit të institucioneve.

“Dhe kryesisht këto sulme i orientohen Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila është e vetmja parti opozitare që është duke u angazhuar në mënyrë konstruktive, pra ka marrë një pozicion më konstruktiv për krijimin e institucioneve. Tani, unë mendoj edhe që çështja e zgjedhjes së presidentit është duke u mbimenduar pak, ose më shumë se sa që duhet, sepse Kosova ka mjaft personalitete nga secili sektor, ish-politikanë, ambasadorë, akademikë, shoqëri civile, media, apo sektor të sigurisë, sportistë, artistë, që mund ta bëjnë mirë punën e presidentit, që janë persona me integritet, me karakter të fuqishëm, të panjollosur, të pakorruptuar, të cilët janë reprezentativë dhe mund të përfaqësojnë vlerat e Kosovës jashtë vendit në mënyrë mjaft të mirë, dhe gjithashtu që të luajnë rolin e një presidenti të mirë që balancon pushtetin demokratik dhe lufton interesat e partive duke siguruar një paanshmëri politike si president”, tha ai.

Hidromorava

Mulolli ka kritikuar edhe moskonstituimin e Kuvendit, duke e cilësuar situatën si refuzim për zbatimin e një obligimi kushtetues.

“Gjithashtu, vonesa në konstituim të kuvendit është tërësisht e pashpjegueshme, nuk është vetëm vonesë, është refuzim me zbatu një obligim kushtetues sepse fituesi i zgjedhjeve pavarësisht kush është ai, pavarësisht cila parti është, është i obliguar me kushtetutë dhe me vendime të Gjykatës Kushtetuese që të prezantojë kandidatin për kryetar apo kryetare të kuvendit. Dhe në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje nuk është duke e bërë këtë. Është duke vepruar në kundërshtim me dispozitat kushtetuese të Republikës së Kosovës, do të thotë është duke refuzuar të zbatojë kushtetutën, është duke i ikur përgjegjësisë demokratike. Mendoj që përveç kësaj, duhet të jetë përgjegjëse edhe para votuesve të vet sepse ata votues e kanë votuar në masë mjaft të madhe që Lëvizja Vetëvendosje të marrë prapë institucionet, qeverinë dhe kuvendin apo dhe presidentin, varësisht cilat. Ndaj ajo nuk është duke e bërë këtë, është duke refuzuar vullnetin e qytetarëve që, edhe besimin që qytetarët ua kanë dhënë”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara u kanë kërkuar sërish këtë të enjte liderëve politikë në Kosovë që të bashkëpunojnë për formimin e institucioneve të reja dhe tejkalimin e ngërçit institucional, duke respektuar Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit ka thënë se liderët politikë duhet të punojnë së bashku për tejkalimin e situatës.

“Ky ngërç i vazhdueshëm politik po rezulton në mundësi të humbura për Kosovën. Është koha që udhëheqësit t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit, në të mirë të të gjithë qytetarëve”, tha zëdhënësi.

Kjo është thirrja e dytë e ngjashme nga pala amerikane brenda një kohe të shkurtër.

Më 12 gusht, edhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë u kishte bërë thirrje partive politike të bashkëpunojnë për tejkalimin e krizës institucionale.

Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Seanca konstituive nisi më 6 gusht, kur deputetët bënë betimin, por procesi nuk arriti deri te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.

Procesi mbeti i bllokuar edhe pas vazhdimit të 8 gushtit, ndërsa kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka deklaruar se vazhdimi i saj do të thirret kur partitë të arrijnë një marrëveshje për zgjidhjen e krizës.

Në përpjekje për tejkalimin e situatës, më 18 gusht Kurti u takua me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ku në fokus ishte edhe zgjedhja e presidentit të ardhshëm.

Pas takimit, të dy deklaruan se ekziston vullneti për të gjetur një zgjidhje dhe se në takimin e ardhshëm mund të shqyrtohen edhe emra konkretë.

PDK-ja dhe Aleanca, ndërkaq, kanë kërkuar që seanca konstituive të vazhdojë pa pritur një marrëveshje politike. Thirrje për zgjidhjen e krizës ka bërë edhe Bashkimi Evropian, ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vlerësuar se ngërçi i zgjatur politik po pengon përparimin.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.