Arrestohet zyrtari policor në Gjilan, dyshohet për kanosje, sulm dhe lëndim të lehtë trupor
Gjilan – Zyrtari policor Jeton Daku është arrestuar të mërkurën në Gjilan, nën dyshimin se ka kryer tri vepra penale: “Kanosja”, “Sulmi” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”.
Sipas burimeve të afërta me rastin në Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 13 gusht 2026, rreth orës 16:30, në një internet-kafe në lagjen “Arbëria” në Gjilan.
Bazuar në informacionet paraprake, Daku dyshohet se ka sulmuar pesë persona, të cilët në këtë rast kanë statusin e të dëmtuarve. Njëri prej tyre, sipas burimeve, posedon edhe raport mjekësor që lidhet me incidentin.
Sipas dëshmive të mbledhura gjatë procedurës fillestare, zyrtari policor dyshohet se gjatë incidentit ka mbajtur në dorën e majtë revolen zyrtare, ndërsa me dorën e djathtë dyshohet se ka goditur disa nga personat e përfshirë në incident.
Rrethanat që kanë çuar deri te përplasja, motivi i saj dhe mënyra se si ka rrjedhur ngjarja janë duke u trajtuar nga organet kompetente.
Arrestimi i zyrtarit policor paraqet një zhvillim të rëndësishëm në hetimin e rastit, ndërsa pritet që Prokuroria të ndërmarrë veprimet e mëtejshme procedurale në përputhje me ligjin.
Jeton Daku konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës./rajonipress/


