Vitia i bashkohet misionit humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut: “Çdo dhurues është një hero”
Viti – Me një mesazh të fuqishëm solidariteti dhe humanizmi, në Viti është organizuar sot aksioni për dhurimin vullnetar të gjakut, në kuadër të një nisme që synon të forcojë kulturën e dhurimit dhe ndërgjegjësimin qytetar për rëndësinë e këtij akti human.
Aksioni është organizuar nga Grupi Gjithëkombëtar i Dhuruesve të Gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti, Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut në Prishtinë dhe institucionet komunale të Vitisë, nën moton domethënëse “Çdo dhurues gjaku është një hero”.
Nismën e ka përshëndetur edhe kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cili ka falënderuar organizatorët dhe qytetarët që iu përgjigjën thirrjes për dhurim. Ai ka vlerësuar se dhurimi vullnetar i gjakut është një nga format më të drejtpërdrejta të humanizmit, pasi përmes një veprimi të thjeshtë qytetar mund të kontribuohet në shpëtimin e jetëve.
Vitia është qyteti i 39-të ku Grupi Gjithëkombëtar i Dhuruesve të Gjakut ka zhvilluar një aksion të tillë. Kjo nismë ka nisur në vitin 2012, me iniciativën e Dr. Halit Gërbeshit, ndërsa gjatë viteve është shndërruar në një lëvizje humanitare ku janë përfshirë mjekë, profesionistë të fushave të ndryshme dhe qytetarë nga hapësirat shqiptare.
Grupi ka organizuar aksione të dhurimit vullnetar të gjakut në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut, duke e shtrirë mesazhin e solidaritetit përtej kufijve institucionalë e territorialë.
Ndërkohë, edhe Komuna e Vitisë ka një traditë të vazhdueshme në organizimin dhe mbështetjen e aksioneve për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut.
Aksioni i sotëm është një tjetër dëshmi se solidariteti nuk kërkon shumë, por mund të japë shumë. Një dhurim gjaku mund të jetë i mjaftueshëm për t’i dhënë dikujt mundësinë për të jetuar, duke e kthyer një gjest të vogël individual në një akt të madh njerëzor./rajonipress/


