Pacolli: “Bllokimi i Aeroportit të Vlorës po u kushton dhjetëra miliona euro nënkontraktorëve”
Biznesmeni dhe politikani Behgjet Pacolli ka ngritur shqetësime lidhur me situatën në kantierin e Aeroportit të Vlorës, duke pretenduar se qasja në kantier është e bllokuar prej afro tre muajsh dhe se deri më tani, sipas tij, nuk është paraqitur ndonjë vendim gjyqësor që do ta justifikonte këtë masë.
Në një postim të tij, Pacolli ka deklaruar se në terren policia ka thënë se po vepronte “me urdhër nga lart”, ndërsa situata, sipas tij, ka krijuar pasoja të konsiderueshme financiare për kompanitë nënkontraktuese të angazhuara në projekt.
Sipas Pacollit, dhjetëra nënkontraktorë po kërkojnë kompensim për periudhën e bllokimit, përfshirë fitimin e munguar, kostot e makinerive dhe pajisjeve të mbetura në kantier, ndërsa vlera e pretenduar e dëmit tashmë arrin në dhjetëra milionë euro.
Pacolli ka bërë të ditur gjithashtu se, bashkë me nënkontraktorët, janë paraqitur më herët edhe kallëzime penale lidhur me këtë çështje, por pretendon se deri tani nuk ka pasur rezultat konkret.
“Fatura tashmë arrin në dhjetëra milionë euro dhe dikush do të duhet ta paguajë!”, ka shkruar Pacolli, duke kërkuar përgjigje lidhur me përgjegjësinë institucionale dhe financiare për situatën e krijuar.
Në përfundim të reagimit të tij, Pacolli u drejtohet qytetarëve me pyetjen se kush do të mbajë përgjegjësi dhe kush do ta përballojë koston e pretenduar nga bllokimi i kantierit./rajonipress/


