Komiteti për Komunitete shqyrton sfidat e ngrohjes në shkollat e Binçës dhe çështje të tjera me interes lokal
Viti – Komiteti për Komunitete ka mbajtur mbledhjen e gjashtë të rregullt, në të cilën anëtarët kanë shqyrtuar një sërë çështjesh që lidhen me funksionimin e institucioneve dhe interesat e komuniteteve në komunë.
Në fillim të mbledhjes u shqyrtua dhe u miratua procesverbali nga mbledhja e pestë, ndërsa më pas vëmendja u përqendrua te mosfunksionimi i sistemit të përbashkët të ngrohjes në dy shkollat e fshatit Binçë, ku zhvillohet mësimi në gjuhën shqipe dhe serbe.
Anëtarët e Komitetit diskutuan për nevojën e gjetjes së një zgjidhjeje funksionale, me qëllim që nxënësit dhe stafi arsimor të kenë kushte sa më të mira për zhvillimin e procesit mësimor, veçanërisht gjatë sezonit të dimrit.
Gjatë mbledhjes u trajtuan edhe çështje të tjera të parapara në rendin e ditës, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe adresimit në kohë të problemeve që prekin komunitetet, me synim përmirësimin e kushteve të jetesës dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore për të gjithë qytetarët./rajonipress/


