Banorët e Malishevës dhe fshatrave përreth paraqesin prioritetet për buxhetin komunal 2027-2029
Gjilan – Komuna e Gjilanit ka vazhduar ciklin e dëgjimeve publike për planifikimin e buxhetit komunal, duke organizuar takimin e radhës në fshatin Malishevë, ku banorët e disa lokaliteteve patën mundësinë të paraqesin kërkesat dhe prioritetet e tyre për investimet që pritet të realizohen gjatë periudhës 2027–2029.
Në dëgjimin buxhetor morën pjesë banorë nga Malisheva, Capari, Uglari, Bukoviku, Malisheva e Epërme, Pogragja, Bilinica, Llovca, Kokaj, Sllubica dhe Stublina, të cilët ngritën çështje që lidhen me infrastrukturën, shërbimet publike, shëndetësinë dhe nevojat e tjera zhvillimore të zonave të tyre.
Të pranishëm në këtë takim ishin kryesuesja e Kuvendit Komunal, Krenare Latifi-Kqiku, drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Mimoza Kadriu-Qerimi, drejtoresha për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë, Eljesa Rashiti, drejtori për Shërbime Publike, Infrastrukturë dhe Banim, Kushtrim Ibrahimi, si dhe drejtori për Buxhet dhe Financa, Avdyl Kastrati.
Përfaqësuesit komunalë theksuan se të gjitha propozimet, kërkesat dhe shqetësimet e paraqitura nga qytetarët do të evidentohen dhe do të shqyrtohen gjatë hartimit të projektbuxhetit komunal për vitet 2027–2029, me synimin që planifikimi financiar të reflektojë sa më mirë nevojat reale të komunitetit.
Ky proces i konsultimeve publike synon të forcojë pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje dhe të sigurojë një planifikim më gjithëpërfshirës të investimeve komunale, në përputhje me prioritetet e banorëve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të secilës zonë të komunës./rajonipress/


