Kosovës i duhet alternativë e re
Republika në udhëkryqin e madh. Partitë luftojnë për pushtet, por qytetarët duan mirëqenie, demokraci, liri dhe të drejta.
“Është koha e fundit që të tregohet një vullnet i mirëfilltë edhe nga vetë prokurorët me fillimin e hetimit të rasteve, përfshirë edhe rastet e profilit të zyrtarëve publikë të lartë, që na kanë dhënë ndjenjën deri më tani se janë të pandëshkueshëm.
Përndryshe do të vazhdohet me perceptimin se shteti dhe drejtësia po dështon. Kur fillojmë të shohim në numra akuza konkrete me një qasje jo selektive, por se të gjithë do të jenë të barabartë para ligjit, besoj që atëherë Kosova do të fillojë të ofrojë shenja ku frymon shteti dhe drejtësia, prokuroria dhe gjyqësori, sistemi i tërë në favor të qytetarit dhe jo grupeve të ngushta të interesit”, thotë Ariana Qosaj-Mustafa për ‘Kosova Sot’
Sado që Kosova po ballafaqohet për 16 vjet rresht me një qeverisje joefikase dhe me një skenë politike në pushtet, e cila punon vetëm për interesat e veta klienteliste, mosbindja qytetare, si një kulturë demokratike ndaj pushtetit që nuk është i popullit, por i një pakice që po e mban atë falë lidhjeve me mafinë e nëntokës dhe duke blerë votat me para, akoma nuk ka ndodhur të materializohet si praktikë e ndryshimeve në shumë vende të tjera, në të cilat krimi dhe korrupsioni po hanë themelet e shtetit.
Analistët politikë konsiderojnë se populli gjendet në udhëkryqin e historisë pa e paditur se cilin drejtim të marrë, pasi nuk ka shpresë për ndryshim nga kjo klasë politike. Tani të gjithë po presin vetëm ndonjë “mrekulli” të ndodhë nga Gjykata Speciale, e cila mbase do të arrestojë ndonjë nga ‘peshqit e mëdhenj’ në politikë, të lidhur me krimin e organizuar.
Në këtë mjegull të madhe, opozita po mundohet të bëhet aktive vetëm pjesërisht përmes protestave, që kanë kryesisht qëllim të të pozicionimit të interesave të veta politike, por jo më shumë, sado që ato edhe kanë zhgënjyer qytetarin për shkak të organizimit të dobët dhe eskalimit të tyre në dhunë./kosova sot/


