UBT

Vitia shqyrton investimet në sistemet e ngrohjes me biomasë përmes Partneritetit Publiko-Privat

/ 2 minuta lexim
Hidromorava

Viti – Komuna e Vitisë po shqyrton mundësitë për zhvillimin e një sistemi të qëndrueshëm të ngrohjes me biomasë, përmes modelit të Partneritetit Publiko-Privat (PPP), si pjesë e angazhimeve për rritjen e efikasitetit energjetik dhe promovimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë.

Në këtë kuadër, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka zhvilluar një takim pune me përfaqësues të organizatës CNVP, në kuadër të projektit SUNREED, ku është diskutuar procesi i investimeve të mundshme në sistemet e ngrohjes qendrore me biomasë.

Gjatë takimit u prezantuan mundësitë dhe hapat konkretë për shndërrimin e kësaj nisme në një projekt të realizueshëm, me theks të veçantë në përgatitjen e udhëzuesve, dokumenteve orientuese dhe koordinimin e aktiviteteve të nevojshme për fazat e ardhshme të zbatimit.

United Hospital

Sipas pjesëmarrësve, eksperti i angazhuar për Partneritetet Publiko-Private në kuadër të projektit SUNREED është duke hartuar një udhëzues të posaçëm për komunat, i cili do të shërbejë si bazë për planifikimin dhe realizimin e investimeve në sistemet e ngrohjes me biomasë, në përputhje me standardet e partneritetit publiko-privat.

Në fokus të diskutimeve ishin edhe modelet e mundshme të bashkëpunimit ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, përgjegjësitë institucionale, menaxhimi i rreziqeve, si dhe përgatitja e dokumentacionit të nevojshëm për avancimin e projektit.

Kryetari Haliti theksoi se Komuna e Vitisë mbetet e përkushtuar në promovimin e projekteve të qëndrueshme energjetike, të cilat kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit, shfrytëzimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët, duke krijuar një bazë të qëndrueshme për zhvillimin afatgjatë të komunës./rajonipress/