Kamenica shqyrton ndërtimin e sistemit të ngrohjes qendrore me biomasë përmes Partneritetit Publiko-Privat
Kamenicë – Komuna e Kamenicës ka nisur shqyrtimin e mundësive për realizimin e një sistemi modern të ngrohjes qendrore me biomasë, përmes modelit të Partneritetit Publiko-Privat (PPP), si pjesë e përpjekjeve për të zhvilluar projekte të qëndrueshme që përmirësojnë shërbimet publike dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.
Në këtë kuadër, kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, së bashku me drejtorin për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, Uran Berisha, kanë zhvilluar një takim pune me përfaqësuesit e organizatës CNVP, Xhevat Llushi dhe Egzon Tahirukaj, si dhe me ekspertin e Partneriteteve Publiko-Private, Ilir Rama.
Takimi kishte karakter informues dhe orientues, me fokus prezantimin e praktikave më të mira për zhvillimin e sistemeve të centralizuara të ngrohjes me biomasë, si dhe krijimin e bazës për shqyrtimin e investimeve afatgjata përmes modelit të Partneritetit Publiko-Privat.
Gjatë diskutimeve u theksuan arsyet që e bëjnë të domosdoshëm kalimin nga ngrohja individuale në një sistem të centralizuar, duke përfshirë kostot e larta dhe të paparashikueshme të ngrohjes, ndikimin negativ në cilësinë e ajrit, ngarkesën mbi institucionet publike dhe nevojën për një zgjidhje më efikase, më ekonomike dhe më të qëndrueshme për qytetarët.
Po ashtu, kryetari Rahimaj u informua mbi fazat kryesore të zhvillimit të një projekti PPP, duke përfshirë procesin e përgatitjes, modelet e mundshme të partneritetit, kriteret e përzgjedhjes së partnerëve, menaxhimin e rreziqeve, përfitimet për komunën, si dhe dokumentacionin dhe procedurat e nevojshme për avancimin e projektit.
Në përfundim të takimit, kryetari Rahimaj shprehu gatishmërinë e Komunës së Kamenicës për të bashkëpunuar me partnerët institucionalë dhe ekspertët e fushës në shqyrtimin e modeleve të reja të financimit dhe investimit. Ai theksoi se komuna mbetet e përkushtuar për të analizuar projekte që sjellin përfitime afatgjata për qytetarët, duke kontribuar në modernizimin e infrastrukturës publike, zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit dhe rritjen e mirëqenies së banorëve./rajonipress/


