Testi i Arritshmërisë: sfida nuk është vlerësimi, por integriteti i sistemit
Nga Arsim Bejtullahu – Diskutimet e fundit rreth Testit të Arritshmërisë kanë nxitur edhe thirrje për anulimin e tij për shkak të rasteve të kopjimit dhe vështirësive në administrimin e procesit. Megjithatë, para se të kërkohet anulimi i testit, duhet të shtrohet një pyetje më themelore: a po trajtojmë shkakun e problemit apo vetëm pasojën e tij?
Testi i Arritshmërisë është një instrument i rëndësishëm për të vlerësuar arritjen e rezultateve të të nxënit dhe për t’u ofruar institucioneve të dhëna mbi cilësinë e sistemit arsimor. Nëse gjatë administrimit të tij evidentohen mangësi, kjo nuk dëshmon domosdoshmërisht se testi ka dështuar si instrument vlerësimi. Përkundrazi, ngre pikëpyetje mbi aftësinë institucionale për të garantuar integritetin e procesit.
Sot sfida është edhe më komplekse. Kopjimi nuk kufizohet më te metodat tradicionale. Zhvillimi i teknologjisë ka krijuar forma të reja të mashtrimit përmes telefonave inteligjentë, orëve inteligjente, kufjeve të padukshme dhe pajisjeve të tjera elektronike. Kjo është një sfidë me të cilën po përballen shumë sisteme arsimore në botë dhe nuk mund të zgjidhet thjesht duke anuluar testin.
Pikërisht për këtë arsye, përgjegjësia institucionale është më e madhe se kurrë. Institucionet duhet të investojnë në modele më të sigurta të administrimit, në trajnimin e administratorëve, në masa efektive për kontrollin e pajisjeve elektronike, në versione të ndryshme të testit dhe në mekanizma modernë që mbrojnë integritetin e procesit. Në epokën e inteligjencës artificiale dhe teknologjive të avancuara, edhe mënyra e organizimit të testimeve duhet të evoluojë.
Anulimi i testit nuk do ta zgjidhte problemin e kopjimit. Përkundrazi, do të rrezikonte ta zhvendoste vëmendjen nga çështja thelbësore: ndërtimi i një sistemi të besueshëm dhe të aftë për t’iu përgjigjur sfidave të kohës.
Një politikë publike nuk matet nga aftësia për të ndërprerë një proces kur ai has vështirësi, por nga aftësia për ta reformuar dhe përmirësuar atë.
Prandaj, nuk i mbështes thirrjet për anulimin e Testit të Arritshmërisë.
Besoj se sfida e teknologjisë nuk duhet të shërbejë si argument për të hequr dorë nga vlerësimi, por si nxitje për të modernizuar administrimin e tij dhe për të forcuar llogaridhënien institucionale.
Në fund, pyetja që duhet t’i bëjmë vetes nuk është nëse duhet ta anulojmë testin, por nëse jemi të gatshëm të ndërtojmë një sistem vlerësimi që ruan integritetin e tij edhe përballë sfidave të teknologjisë. Pikërisht aty matet pjekuria e institucioneve dhe serioziteti i politikave arsimore./rajonipress/


