Fundamenti

Zjarrfikësit e Vitisë lokalizojnë zjarrin në Begrac, shpëtohet shtëpia nga përfshirja e plotë nga flakët

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Viti – Reagimi i shpejtë dhe ndërhyrja profesionale e Njësisë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit (NJPZSH) në Viti ka bërë të mundur shpëtimin e një shtëpie banimi nga përfshirja e plotë nga zjarri në fshatin Begrac të Komunës së Kaçanikut.

Sipas njoftimit të komandantit të NJPZSH-së në Viti, Hetem Jakupi, rasti është raportuar sot, më 7 korrik 2026, në orën 11:18. Fillimisht ishte raportuar se zjarri kishte përfshirë një mobileri, mirëpo pas mbërritjes së ekipeve në vendngjarje u konstatua se flakët kishin kapluar një depo të vendosur pranë një shtëpie të banuar.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, zjarrfikësit e Vitisë u nisën drejt vendit të ngjarjes me një autocisternë dhe katër zjarrfikës. Duke parë intensitetin e zjarrit, operacioni u përforcua edhe me dy autocisterna shtesë, ndërsa në aksion u angazhuan edhe ekipet e zjarrfikësve të Kaçanikut, në koordinim me Policinë e Kosovës.

Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe bashkërendimit të ekipeve reaguese, u arrit të parandalohej përhapja e flakëve në objektin e banimit. Nga zjarri u dëmtua vetëm një pjesë e vogël e kulmit të shtëpisë, ndërsa pjesa tjetër e objektit u shpëtua.

ARKATANA

Si pasojë e zjarrit, depoja ku ruheshin pajisje shtëpiake dhe mjete bujqësore u dogj, duke shkaktuar dëme materiale. Ndërkohë, aksioni për shuarjen e plotë të zjarrit ishte në fazën përfundimtare.

Autoritetet kanë vlerësuar se reagimi i shpejtë dhe profesional i zjarrfikësve shmangu pasoja edhe më të mëdha materiale dhe rrezikun për banorët e zonës./rajonipress/