UBT

Dëgjimet buxhetore në Kamenicë përballen me kritika të qytetarëve: “Premtime shumë, realizime pak”

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Kamenicë – Procesi i dëgjimeve publike për hartimin e buxhetit të Komunës së Kamenicës për vitin 2027 po shoqërohet me reagime dhe kritika të ashpra nga një pjesë e qytetarëve, të cilët pretendojnë se shqetësimet e tyre të paraqitura ndër vite nuk janë reflektuar në projekte konkrete dhe investime të dukshme në terren.

Pas publikimeve për mbajtjen e dëgjimeve buxhetore në lokalitete të ndryshme të komunës, përfshirë edhe Shipashnicën e Epërme, disa qytetarë kanë shprehur pakënaqësi ndaj qeverisjes komunale, duke kërkuar më shumë përgjegjësi institucionale, transparencë dhe rezultate konkrete nga procesi i planifikimit buxhetor.

Qytetari Islam Zarbica, duke komentuar njoftimin e Komunës së Kamenicës për dëgjimet publike, ka reaguar me tone kritike ndaj zyrtarëve komunalë, duke shkruar: “Valla për rrena na knaqët”, duke shprehur pakënaqësinë e tij për atë që e konsideron mungesë të realizimit të premtimeve.

Ndërsa qytetari Arben Koretini ka kritikuar mënyrën e prezantimit të projekteve dhe ka kërkuar që fjalët të shoqërohen me veprime konkrete. “Po tybe marre asht mi ngu këta se çka folin në hava e nuk realizojnë asgjë në jetën reale”, ka shkruar ai.

FIDANISHTJA

Kritikat e qytetarëve vijnë në kohën kur Komuna e Kamenicës ka nisur ciklin e dëgjimeve buxhetore me qëllim mbledhjen e kërkesave nga banorët dhe grupe të ndryshme të interesit për përgatitjen e buxhetit të vitit 2027.

Megjithatë, përballë deklarimeve institucionale për përfshirje të qytetarëve në procesin vendimmarrës, disa banorë kërkojnë që këto dëgjime të mos mbeten vetëm në nivel konsultativ, por të shndërrohen në projekte konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së tyre.

Debati rreth investimeve, infrastrukturës dhe realizimit të kërkesave të qytetarëve pritet të vazhdojë edhe gjatë dëgjimeve të ardhshme publike në lokalitetet e tjera të Komunës së Kamenicës./rajonipress/