Komuna e Kamenicës vazhdon dëgjimet buxhetore, banorët e tri fshatrave paraqesin prioritetet për investimet e vitit 2027
Kamenicë – Komuna e Kamenicës ka vazhduar ciklin e dëgjimeve buxhetore me qytetarët, duke organizuar takime me banorët e fshatrave Desivojcë, Shipashnicë e Poshtme dhe Shipashnicë e Epërme, me qëllim përfshirjen e tyre në planifikimin e buxhetit komunal për vitin 2027.
Në këto takime morën pjesë drejtorja për Buxhet dhe Financa, Ardita Dërmaku, drejtorët Blerim Murina dhe Edon Dërmaku (në dëgjimet e Shipashnicës), si dhe zyrtarë të tjerë komunalë.
Gjatë dëgjimeve, drejtoresha Dërmaku prezantoi projektbuxhetin për vitin 2027, duke informuar të pranishmit për mjetet e planifikuara për investime kapitale dhe rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në përcaktimin e prioriteteve zhvillimore.
Banorët e tri lokaliteteve shpalosën kërkesat dhe propozimet e tyre, të cilat do të shqyrtohen në procesin e hartimit të listës së projekteve që synohen të realizohen gjatë vitit të ardhshëm.
Nga Komuna e Kamenicës është bërë e ditur se dëgjimet buxhetore do të vazhdojnë edhe në lokalitetet e tjera, me synimin që buxheti i vitit 2027 të reflektojë sa më shumë nevojat dhe prioritetet e qytetarëve në të gjitha zonat e komunës./rajonipress/



