UBT

KKSB në Viti miraton orientimet e reja për sigurinë, prezantohet Plani i Veprimit me shtatë prioritete strategjike

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Viti – Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) në Viti ka mbajtur mbledhjen e tretë të rregullt, ku u vlerësua gjendja e sigurisë në komunë, u diskutuan përgatitjet për sezonin veror dhe u prezantua Plani i ri i Veprimit, i hartuar për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe për të rritur sigurinë në komunitet.

Mbledhja u drejtua nga zëvendëskryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu, ndërsa pjesë e diskutimeve ishin përfaqësues të institucioneve lokale, Policisë së Kosovës dhe organizatave partnere.

Komandanti i Stacionit Policor në Viti, kapiten Ruzhdi Abdullahu, raportoi se situata e sigurisë në komunë vazhdon të jetë e qetë dhe stabile. Ai prezantoi statistikat e punës së Policisë së Kosovës për gjashtëmujorin e parë të vitit, duke theksuar se angazhimi i policisë do të intensifikohet edhe më tej gjatë sezonit veror, kur pritet ardhja e një numri të madh të bashkatdhetarëve.

Në fokus të takimit ishin edhe përgatitjet institucionale për menaxhimin e fluksit të mërgimtarëve, me theks të veçantë në koordinimin ndërmjet institucioneve për ofrimin e shërbimeve efikase dhe garantimin e një ambienti të sigurt gjatë muajve të verës.

Ndërkohë, drejtoresha e Arsimit, Arta Ajeti, njoftoi anëtarët e KKSB-së se procesi i testit të arritshmërisë është zhvilluar pa probleme dhe në përputhje me standardet dhe procedurat e përcaktuara.

Hidromorava

Një nga pikat kryesore të mbledhjes ishte prezantimi i Planit të Veprimit të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, i hartuar me mbështetjen e organizatës Edu Task. Plani u prezantua nga eksperti i sigurisë, Arben Qirezi, i cili bëri të ditur se dokumenti është ndërtuar mbi shtatë prioritete strategjike që synojnë forcimin e sigurisë dhe bashkëpunimit në komunitet.

Sipas tij, plani përfshin masa për rritjen e sigurisë në shkolla, mbështetjen e të rinjve, parandalimin e dhunës dhe kriminalitetit, promovimin e bashkëjetesës dhe zhvillimin e aktiviteteve që kontribuojnë në rritjen e mirëqenies së qytetarëve përmes bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përfshirjes aktive të komunitetit.

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, përshëndeti punën e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, duke theksuar se ky mekanizëm luan rol kyç në koordinimin e veprimeve ndërmjet institucioneve lokale, Policisë së Kosovës dhe partnerëve të tjerë në identifikimin dhe adresimin e sfidave që lidhen me sigurinë publike.

Haliti shprehu gjithashtu mirënjohje për organizatën Edu Task, duke vlerësuar mbështetjen profesionale të saj në hartimin e Planit të Veprimit dhe në fuqizimin e rolit të KKSB-së si mekanizëm i rëndësishëm për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve.

Në përfundim të mbledhjes, pjesëmarrësit u dakorduan të vazhdojnë koordinimin dhe bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet institucioneve dhe partnerëve lokalë, me synim ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe reagimin në kohë ndaj çdo sfide që mund të paraqitet në komunitet./rajonipress/