Mobi Casa

Kuvendi Komunal i Vitisë rifillon punimet pas tërheqjes së pikave për pronën komunale, miratohen vendime me rëndësi për zhvillimin lokal

/ 3 minuta lexim
FIDANISHTJA

Viti – Kuvendi Komunal i Vitisë ka vazhduar sot punimet e seancës së rregullt, e cila ishte ndërprerë tri javë më parë për shkak të debatit rreth pikave që lidhen me dhënien në shfrytëzim të pronës komunale në fshatin Devajë. Pas tërheqjes së këtyre pikave nga rendi i ditës, asamblistët vijuan me shqyrtimin dhe miratimin e një sërë vendimesh me rëndësi për funksionimin institucional dhe zhvillimin e komunës.

Seanca u drejtua nga kryesuesi i Kuvendit Komunal, Bekim Azizi, i cili njoftoi se dy pikat që kishin të bënin me dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme komunale janë tërhequr nga rendi i ditës. Pikërisht këto çështje kishin shkaktuar ndërprerjen e seancës para tri javësh.

Azizi bëri të ditur se tërheqja e pikave erdhi pasi pronari i kompanisë “Daka Group”, e cila kishte rezultuar fituese në procedurën përkatëse, përmes një shkrese zyrtare drejtuar Kuvendit Komunal kishte njoftuar se tërhiqet nga procesi, duke bërë të panevojshëm shqyrtimin e mëtejmë të këtyre propozimeve.

Pas kësaj, Kuvendi vazhdoi punimet me pikat e tjera të rendit të ditës, duke miratuar propozim-vendimin për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale për Kompaninë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS), me qëllim vendosjen e trafove elektrike.

Uji Dea

Gjithashtu, u miratua propozim-vendimi për plotësimin e vendimit për binjakëzimin ndërmjet Komunës së Vitisë dhe Komunës Saint Julien en Genevois të Francës, si dhe propozim-vendimi për bartjen e mjeteve nga të hyrat vetanake të vitit 2025 në buxhetin e vitit 2026.

Në këtë seancë mori mbështetje edhe propozim-vendimi për realizimin e një vizite studimore në Shqipëri, ndërsa asamblistët u informuan edhe nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport lidhur me organizimin e Manifestimit Tradicional Kulturor-Sportiv “Flakadani i Karadakut 2026”, një nga aktivitetet më të rëndësishme kulturore të komunës.

Në përfundim të mbledhjes u zhvillua edhe seanca e pyetjeve dhe përgjigjeve, ku anëtarët e Kuvendit Komunal adresuan kërkesa, shqetësime dhe iniciativa të ndryshme ndaj ekzekutivit komunal, duke diskutuar çështje që lidhen me shërbimet publike, projektet zhvillimore dhe nevojat e qytetarëve të Komunës së Vitisë./rajonipress/