ARKATANA

Kuvendi Komunal i Kamenicës miraton me shumicë votash vendimet kryesore për buxhetin, parkingun publik dhe menaxhimin e mbeturinave

/ 2 minuta lexim
Hidromorava

Kamenicë – Kuvendi Komunal i Kamenicës ka mbajtur mbledhjen e gjashtë të rregullt, në të cilën janë shqyrtuar dhe miratuar një sërë vendimesh me rëndësi për funksionimin e komunës dhe realizimin e projekteve zhvillimore.

Mbledhjen e hapi kryesuesja e Kuvendit Komunal, Arbnore Beqiraj-Fera, ndërsa të pranishëm ishin kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj, anëtarët e Kuvendit Komunal, drejtorët komunalë, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe pjesëmarrës të tjerë.

Në këtë mbledhje u shqyrtuan gjithsej 15 pika të rendit të ditës, duke nisur me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së kaluar dhe pyetjet e legjislativit drejtuar ekzekutivit.

Asambleistët miratuan Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) të Komunës së Kamenicës, si dokumentin bazë për planifikimin financiar në periudhën e ardhshme, si dhe emërimin e Komisionit për udhëheqjen dhe koordinimin e procesit të zgjedhjes së Këshillave Lokale dhe Komisionit për shqyrtimin e ankesave në këtë proces.

ARKATANA

Po ashtu, Kuvendi miratoi Draft-Rregulloren për Taksa, Tarifa, Ngarkesa dhe Gjoba Komunale, Pilot-Projektin për Menaxhimin e Parkingut Publik në Komunën e Kamenicës, si dhe Planin Ndërkomunal për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave për Zonën e Menaxhimit (ZMM-5) – Rajoni i Gjilanit dhe Ferizajt për periudhën 2026–2030.

Në mesin e vendimeve të miratuara ishin edhe caktimi i tarifave dhe mënyrës së inkasimit të mjeteve financiare për menaxhimin e mbeturinave, plotësimi dhe ndryshimi i vendimeve për Komisionin e Ankesave, si dhe ndryshimet në dy vendime që lidhen me shpalljen e pronave në interes të përgjithshëm publik.

Asambleistët aprovuan gjithashtu dhënien në shfrytëzim të pronës komunale përmes ankandit publik, si dhe formimin e Komisionit për zbatimin e procedurave dhe vlerësimin e ofertave për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës.

Pas prezantimit të secilës pikë të rendit të ditës dhe debatit të zhvilluar nga anëtarët e Kuvendit Komunal, të gjitha propozim-vendimet u miratuan me shumicë votash, duke i hapur rrugë zbatimit të tyre në periudhën e ardhshme./rajonipress/