Eko Higjiena

Kryetari Sokol Haliti mban debatin e parë publik me qytetarët, prezanton punën gjashtëmujore dhe prioritetet e Komunës së Vitisë

/ 2 minuta lexim
FIDANISHTJA

Viti – Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka mbajtur sot debatin e parë publik me qytetarët, në kuadër të angazhimit për transparencë, llogaridhënie dhe komunikim të drejtpërdrejtë me komunitetin.

Gjatë prezantimit, kryetari Haliti paraqiti punën e realizuar gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, duke u ndalur te sfidat me të cilat është përballur komuna, arritjet e shënuara dhe prioritetet për periudhën në vazhdim.

Ai theksoi se, pavarësisht sfidave si kufizimet buxhetore, rrethanat ekonomike dhe kërkesat në rritje të qytetarëve për shërbime më cilësore, Komuna e Vitisë ka vazhduar angazhimin përmes planifikimit të mirë, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përfshirjes aktive të Kuvendit Komunal në proceset vendimmarrëse.

Haliti vuri në dukje se ky raport nuk paraqet vetëm një pasqyrë të punës së deritanishme, por shërben edhe si bazë për një dialog të hapur me qytetarët, për analizë të përbashkët të sfidave dhe për përmirësimin e vazhdueshëm të qeverisjes lokale. Ai theksoi se transparenca dhe llogaridhënia mbeten parime themelore mbi të cilat mbështetet puna e institucioneve komunale.

Uji Dea

Në fjalën e tij, Haliti ritheksoi përkushtimin e Komunës së Vitisë për zhvillim të qëndrueshëm, krijimin e mundësive për të rinjtë, mbështetjen e zhvillimit ekonomik lokal dhe përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët.

Pas prezantimit të raportit gjashtëmujor, qytetarët e pranishëm patën mundësinë të parashtrojnë pyetje, komente dhe sugjerime lidhur me punën e komunës dhe projektet në zhvillim, ndërsa kryetari Haliti iu përgjigj drejtpërdrejt interesimeve të tyre, duke zhvilluar një diskutim të hapur mbi çështjet me interes për komunitetin./rajonipress/