Hidromorava

Zjarrfikësit e Vitisë apelojnë për kujdes maksimal: Parandaloni zjarret, mbroni jetën, pronën dhe natyrën

/ 2 minuta lexim
ARKATANA

Viti – Njësia Profesionale e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në Viti, e cila mbulon edhe territorin e Komunës së Kllokotit, ka bërë apel për kujdes të shtuar nga qytetarët gjatë sezonit veror, kur temperaturat e larta rrisin ndjeshëm rrezikun e shpërthimit dhe përhapjes së zjarreve në fusha, pyje, kullota dhe ambiente të tjera të hapura.

Përmes një njoftimi publik, komandanti i Njësisë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në Viti, Hetem Jakupi, u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë përgjegjësi maksimale në parandalimin e zjarreve, duke theksuar se çdo vit regjistrohen raste të shumta të shkaktuara nga pakujdesia njerëzore, djegia e mbeturinave, ndezja e zjarreve në natyrë apo veprime të papërgjegjshme që rrezikojnë jetën e njerëzve, pronën private dhe publike, kafshët, kulturat bujqësore dhe pasuritë natyrore.

Në këtë drejtim, qytetarëve u kërkohet:

✅ Të mos ndezin zjarr në fusha, pyje dhe kullota.

✅ Të mos djegin mbeturina apo mbetje bujqësore.

✅ Të shmangin hedhjen e cigareve të ndezura në natyrë.

✅ Të raportojnë menjëherë çdo vatër zjarri apo aktivitet të dyshimtë.

✅ Të bashkëpunojnë me institucionet përkatëse në parandalimin e zjarreve.

ARKATANA

Nga Njësia Profesionale e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit theksohet se çdo zjarrvënie e qëllimshme ose zjarr i shkaktuar nga pakujdesia përbën vepër të dënueshme dhe sanksionohet sipas legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës.

Zjarrfikësit e Vitisë bëjnë të ditur se janë në gatishmëri të plotë 24 orë në ditë për t’iu përgjigjur çdo situate emergjente, por nënvizojnë se mbrojtja më e mirë mbetet parandalimi. Sipas tyre, vetëm përmes kujdesit dhe bashkëpunimit të secilit qytetar mund të mbrohen jeta e njerëzve, prona, tokat bujqësore, pyjet dhe mjedisi.

Për çdo rast zjarri ose situate emergjente, qytetarët ftohen të njoftojnë menjëherë institucionet kompetente në numrat:

112 – Qendra Emergjente

192 – Policia e Kosovës

193 – Zjarrfikësit

“Mos e neglizhoni asnjë vatër zjarri – një telefonatë në kohë mund të shpëtojë jetë, pasuri dhe natyrën tonë”, thuhet në apelin e komandantit Hetem Jakupi, i cili rithekson përkushtimin e Njësisë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit për të qenë në shërbim të qytetarëve të Vitisë dhe Kllokotit./rajonipress/