KKVITI

Hysen Ymeri, juristi i Vitisë me një jetë në shërbim të administratës dhe proceseve shtetformuese të Kosovës

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Viti – Hysen Ymeri, i lindur më 18 qershor 1961, me profesion jurist, përfaqëson një nga figurat administrative të Vitisë që ka qenë i përfshirë në periudha të ndryshme të rëndësishme të zhvillimeve politike, institucionale dhe shoqërore të Kosovës.

Një figurë e formuar në dijen juridike dhe e dëshmuar në praktikën institucionale, Hysen Ymeri mbetet një nga emrat që lidhen ngushtë me ndërtimin e administratës lokale në Viti dhe me dokumentimin e periudhave më të ndjeshme të historisë së Kosovës. Si ekspert i palodhur dhe njohës i thellë i akteve juridike, ai ka ndërtuar një karrierë të gjatë mbi punën e vazhdueshme, korrektësinë profesionale dhe përkushtimin ndaj institucioneve publike.

Në rrugëtimin e tij, Ymeri nuk është kufizuar vetëm në administrim rutinor, por ka qenë pjesë aktive e proceseve të rëndësishme shoqërore e shtetformuese, duke dhënë kontribut të veçantë në argumentimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës në Viti. Me qasje të kujdesshme, profesionale dhe të pandërprerë, ai ka mbetur një zë i qëndrueshëm i përgjegjësisë institucionale dhe i kujtesës historike, duke e parë ligjin jo vetëm si rregull, por si instrument drejtësie dhe të vërtete.

Karrierën e tij profesionale ai e ka nisur në vitin 1988, duke qenë i punësuar deri në vitin 1991, kur u largua nga puna si pasojë e mospranimit të masave të dhunshme të instaluara nga sistemi serb në atë periudhë. Ky vendim e vendosi atë në radhën e punonjësve që refuzuan të legjitimonin strukturat e dhunshme administrative të kohës.

Gjatë viteve të rezistencës institucionale dhe politike, Ymeri ka qenë anëtar i Komisionit për Referendumin e Pavarësisë së Kosovës, si dhe dy herë anëtar i Komisionit Qendror për Zgjedhje Lokale, duke kontribuar në proceset e hershme të ndërtimit të sistemit demokratik në vend.

Ai gjithashtu ka udhëhequr Shoqërinë Kulturoro-Artiistike “Liria”, duke qenë aktiv edhe në jetën kulturore dhe organizimin e komunitetit në Viti.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, Hysen Ymeri është caktuar nga Qeveria e Përkohshme për të shërbyer në Gjykatën Komunale në Viti, detyrë që e ka ushtruar deri në shtator të vitit 2000, kur, së bashku me kolegët e tij, është larguar nga struktura gjyqësore në kohën e administrimit të UNMIK-ut.

Më pas, ai është emëruar anëtar i Komisionit Komunal për Hulumtimin dhe Evidentimin e Krimeve të Luftës të kryera nga forcat serbe, duke kontribuar në dokumentimin e periudhës së luftës dhe pasojave të saj.

Në dhjetor të vitit 2000, Ymeri është punësuar në administratën komunale të Vitisë si përgjegjës i sektorit të gjendjes civile, detyrë që e ka ushtruar deri në korrik të vitit 2011. Më pas, në të njëjtin vit, ai është zgjedhur udhëheqës i Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, funksion të cilin e ka mbajtur deri në pensionim.

Për aktivitetin e tij gjatë viteve 1998–1999, Hysen Ymeri është nderuar me mirënjohje nga ish-komandanti i Brigadës “173 Gursel e Bajram Sylejmani”, Selami Neziri – Agroni, si dhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës në degën e Vitisë.

Uji Dea

Figura e tij mbetet e lidhur me një periudhë të gjatë angazhimi institucional, administrativ dhe shoqëror në shërbim të komunës së Vitisë dhe proceseve shtetformuese të Kosovës.

Hysen Ymeri falënderon kolegët dhe miqtë me rastin e pensionimit: Mirënjohje për një jetë pune dhe bashkëpunimi

Me rastin e daljes në pension, Hysen Ymeri ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë për të gjithë ata që i kanë dërguar urime dhe fjalë të mira në këtë moment të rëndësishëm të jetës së tij profesionale dhe personale.

Në një mesazh publik falënderues, Ymeri ka theksuar se ndihet sinqerisht i vlerësuar nga vëmendja dhe respekti i treguar nga kolegët, bashkëpunëtorët dhe institucionet me të cilat ka punuar ndër vite.

“Ju falënderoj sinqerisht për të gjitha urimet dhe fjalët e mira me rastin e pensionimit tim”, ka shkruar ai, duke shprehur mirënjohje të veçantë për kolegët e Komunës së Vitisë, Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së – dega në Viti, Brigadën 173 “Gursel e Bajram Sylejmani”, Komandant Selami Neziri – Agroni, si dhe Shoqatën “Dardanët”, të cilët, sipas tij, e kanë bërë këtë ditë edhe më të veçantë.

Ymeri ka theksuar se mbetet thellësisht mirënjohës për bashkëpunimin dhe mbështetjen e marrë gjatë gjithë viteve të shërbimit të tij në administratë dhe institucione, duke vlerësuar se kujtimet e ndara me kolegët përbëjnë një pjesë të rëndësishme të rrugëtimit të tij profesional dhe njerëzor.

Ai ka shtuar se fjalët dhe urimet e pranuara e kanë bërë të ndihet i vlerësuar dhe krenar për kontributin e dhënë ndër vite në shërbim të institucioneve dhe komunitetit.

Në fund të mesazhit, Hysen Ymeri ka uruar shëndet, suksese dhe mbarësi për të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë gjatë karrierës së tij, duke i falënderuar “nga zemra dhe me respekt të veçantë”./rajonipress/