Uji Dea

Investimet në infrastrukturën rrugore transformojnë Vitinë – Dy projekte strategjike po forcojnë lidhjen ndërmjet fshatrave dhe zhvillimin ekonomik

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Viti – Komuna e Vitisë po vazhdon me intensitet realizimin e investimeve në infrastrukturën rrugore, duke konkretizuar dy projekte me rëndësi të veçantë strategjike që pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e qarkullimit, rritjen e sigurisë në komunikacion dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik e social të zonave rurale. Punimet në rrugët Stubëll – Stanqiq dhe Remnik i Ri – Sllatinë e Epërme janë në zhvillim e sipër dhe konsiderohen ndër investimet më të rëndësishme infrastrukturore të kësaj periudhe në komunë.

Projekti i rrugës Stubëll – Stanqiq do të krijojë një lidhje të re dhe më funksionale ndërmjet fshatrave Vernakollë, Llokmë dhe Stanqiq, duke shkurtuar kohën e udhëtimit dhe duke ofruar qasje më të shpejtë drejt qytetit të Gjilanit, si dhe në drejtim të Kumanovës. Kjo rrugë pritet të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve, transportin e mallrave dhe zhvillimin e aktiviteteve ekonomike, duke krijuar kushte më të favorshme për banorët e kësaj pjese të komunës.

Njëkohësisht, po vazhdojnë punimet edhe në aksin Remnik i Ri – Sllatinë e Epërme, një segment i njohur historikisht si “Rruga e Mbretit”, i cili do të përmirësojë ndjeshëm lidhjen ndërmjet Remnikut të Ri, Sadovinës së Jerlive, Sadovinës së Çerkezëve dhe Sllatinës së Epërme me rrugën kryesore që çon drejt qytetit të Vitisë. Përmirësimi i këtij aksi rrugor do të krijojë kushte më të mira për qarkullimin e përditshëm të qytetarëve, zhvillimin e bujqësisë, biznesit lokal dhe rritjen e potencialit ekonomik të këtyre vendbanimeve.

FIDANISHTJA

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka theksuar se investimet në infrastrukturën rrugore vazhdojnë të jenë ndër prioritetet kryesore të qeverisjes lokale, pasi ato përfaqësojnë bazën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.

Sipas tij, ndërtimi dhe modernizimi i rrjetit rrugor nuk nënkupton vetëm asfaltim të segmenteve të reja, por krijimin e një infrastrukture moderne që afron komunitetet, lehtëson qasjen në shërbime publike, nxit investimet dhe krijon mundësi të reja për zhvillimin ekonomik e social të komunës.

Me realizimin e këtyre projekteve, Komuna e Vitisë po vazhdon të ndërtojë një rrjet rrugor më funksional dhe më të sigurt, duke dëshmuar përkushtimin për investime që sjellin përfitime afatgjata për qytetarët dhe kontribuojnë në zhvillimin e balancuar të të gjitha zonave të komunës./rajonipress/