Rektori Hajrizi në Austri: Viziton Siemens City për eHealth dhe digjitalizim
Me ftesë të Advantage Austria – Odës Ekonomike të Austrisë, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mori pjesë në vizitën profesionale të organizuar në Siemens Healthineers Austria në Vjenë, e fokusuar në eHealth, inovacion dhe transformimin digjital të sistemeve shëndetësore në Austri dhe Evropë.
Gjatë programit në Siemens, u zhvilluan sesione dhe diskutime të nivelit të lartë mbi zhvillimin e strategjive kombëtare të eHealth, kornizat ligjore për telemjekësinë, integrimin e teknologjive digjitale në sistemet shëndetësore, si dhe modelet moderne të komunikimit dhe përfshirjes së pacientëve përmes platformave inteligjente.
Në kuadër të takimeve zyrtare, Rektori Hajrizi zhvilloi diskutime me përfaqësues dhe ekspertë të Siemens Healthineers Austria, lidhur me mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen në fushën e teknologjisë, eHealth, inovacionit dhe transformimit digjital.
Gjatë takimit, Rektori Hajrizi diskutoi për ekosistemin inovativ të UBT-së, laboratorët modernë, projektet ndërkombëtare dhe praktikat që UBT aplikon në inteligjencë artificiale, simulime digjitale dhe integrimin e teknologjisë në shëndetësi dhe edukim. Ai theksoi se UBT tashmë është institucioni me praktikat më të avancuara në rajon në fushën e eHealth dhe digjitalizimit.
Po ashtu, Rektori Hajrizi i ftoi përfaqësuesit e Siemens Healthineers Austria dhe partnerët ndërkombëtarë të vizitojnë UBT Smart City, me qëllim të zgjerimit të bashkëpunimit akademik, teknologjik dhe profesional ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.



