Uji Dea

Omer Daku kërkon debat profesional për urbanizmin në Gjilan: Koha për transparencë, dialog dhe llogaridhënie institucionale

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Ish-drejtori i Urbanizmit në Komunën e Gjilanit, Omer Daku, ka bërë thirrje publike për organizimin e një debati të hapur profesional mbi zhvillimet dhe sfidat aktuale në sektorin e urbanizmit, duke vlerësuar se ky është momenti i duhur për reflektim institucional, transparencë dhe përfshirje të komunitetit profesional në proceset vendimmarrëse.

Në reagimin e tij, Daku thekson se urbanizmi përfaqëson një nga sektorët më të rëndësishëm për zhvillimin afatgjatë të qytetit dhe për cilësinë e jetës së qytetarëve, andaj çdo vendim dhe praktikë në këtë fushë duhet të jetë rezultat i diskutimit profesional dhe bashkëpunimit institucional.

“Urbanizmi është një nga fushat më të rëndësishme për zhvillimin e qytetit dhe cilësinë e jetës së qytetarëve. Pikërisht për këtë arsye, mendoj se ka ardhur koha që Drejtoria për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit të organizojë një takim të hapur me arkitektët, inxhinierët, projektuesit dhe profesionistët e tjerë të fushës”, ka deklaruar Daku.

Sipas tij, kohëve të fundit janë shfaqur shqetësime, dilema dhe qëndrime të ndryshme profesionale lidhur me procedurat dhe praktikat që po zbatohen në këtë sektor, çështje të cilat, sipas Dakut, nuk duhet të mbeten në kuadër të diskutimeve të mbyllura apo individuale.

“Kohëve të fundit janë shfaqur shqetësime, dilema dhe mendime të ndryshme profesionale lidhur me procedurat dhe praktikat që zbatohen në këtë sektor. Këto çështje nuk duhet të mbeten objekt diskutimesh të izoluara, por të trajtohen në një tryezë të përbashkët profesionale, ku secila palë të ketë mundësinë të shprehë qëndrimet dhe përvojat e saj”, ka theksuar ai.

Ish-drejtori i Urbanizmit vlerëson se një debat i tillë nuk duhet të interpretohet si kritikë ndaj institucioneve, por si një mundësi reale për të forcuar komunikimin ndërmjet administratës dhe komunitetit profesional, me qëllim identifikimin e sfidave dhe gjetjen e zgjidhjeve më të mira për zhvillimin urban të qytetit.

“Një debat i tillë nuk duhet të shihet si kritikë ndaj institucionit, por si mundësi për dialog, transparencë dhe avancim të punës në interes të qytetit. Vetëm përmes komunikimit të hapur mund të identifikohen sfidat reale dhe të gjenden zgjidhje që i shërbejnë zhvillimit të qëndrueshëm urban”, ka shtuar Daku.

Uji Dea

Ai ka vënë në pah potencialin profesional që posedon Gjilani në fushën e arkitekturës, inxhinierisë dhe planifikimit urban, duke theksuar se përvoja dhe ekspertiza e profesionistëve vendorë duhet të shfrytëzohet më shumë në proceset e planifikimit dhe zhvillimit të qytetit.

“Gjilani ka profesionistë me përvojë dhe kompetencë të dëshmuar në fushën e arkitekturës, inxhinierisë dhe planifikimit urban. Përfshirja e tyre në diskutime profesionale është vlerë për institucionet dhe për qytetin”, ka deklaruar ai.

Në fund të reagimit të tij, Daku i ka bërë thirrje Drejtorisë për Urbanizëm që të marrë iniciativën për organizimin e një debati gjithëpërfshirës, ku sfidat dhe shqetësimet ekzistuese të trajtohen në mënyrë profesionale, me argumente dhe në frymën e bashkëpunimit.

“Prandaj, ftoj Drejtorinë për Urbanizëm që të marrë iniciativën për organizimin e një debati profesional, të hapur dhe gjithëpërfshirës, në mënyrë që sfidat dhe shqetësimet ekzistuese të diskutohen me argumente profesionale dhe në frymën e bashkëpunimit”, ka thënë ai.

Duke iu drejtuar kolegëve të tij brenda administratës komunale, Daku ka kërkuar përgjegjësi dhe kujdes më të madh institucional, duke paralajmëruar se çdo neglizhencë eventuale mund të ketë pasoja për vetë bartësit e përgjegjësive.

“Shumë miqësisht ftoj kolegët brenda Drejtorisë së Urbanizmit që të mos jenë neglizhentë, sepse përgjegjësia dhe pasojat do të jenë mbi ta. Pa politikë, por gjithsesi me llogaridhënie”, ka përfunduar ish-drejtori i Urbanizmit, Omer Daku./rajonipress/