Balliu pensionohet nga Kombëtarja e Shqipërisë?!
Një tjetër kapitull mbyllet në historinë e Kombëtares shqiptare. Mbrojtësi Ivan Balliu ka vendosur të mos e përfaqësojë më Shqipërinë, duke i dhënë fund aventurës me fanellën kuqezi pas nëntë vitesh.
Lajmi është bërë i ditur nga gazetari i Top Channel, Endi Tufa, sipas të cilit vendimi i 34-vjeçarit lidhet me dëmtimet e fundit, moshën dhe dëshirën për t’u përqendruar te karriera në nivel klubesh.
Balliu, i cili ka zhvilluar 24 paraqitje me Shqipërinë, ka komunikuar vendimin për të mos qenë më në dispozicion të përfaqësueses, në prag të dy ndeshjeve të fundit të fazës së grupeve të UEFA Nations League.
Kështu, grumbullimi i radhës, që nis më 7 nëntor, nuk do të jetë pjesë e aventurës së tij me Kombëtaren.
Pas nëntë vitesh dhe 24 ndeshjesh me fanellën kuqezi, mbrojtësi i jep fund rrugëtimit ndërkombëtar, duke u përqendruar tashmë te karriera e tij në futbollin e klubeve.

